Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve shtetërore, në Kosovë, sot e kësaj dite rreth 19 për qind e konsumit të përgjithshëm të energjisë elektrike paraqitet si humbje teknike dhe komerciale (Humbjet teknike të energjisë elektrike janë ato që humbin në rrjetin shpërndarës, ndërkaq ato komerciale janë konsum i paautorizuar, ose vjedhje).
Ministria e Ekonomisë këto ditë ishte edhe më konkrete duke pohuar se kostoja e vjedhjes së energjisë elektrike vitin e kaluar në Kosovë, ka qenë në vlerë financiare 110 milionë euro, ndërkaq këtë vit vjedhja e energjisë parallogaritet të jetë rreth 99 milionë euro.
Njohësit e zhvillimeve energjetike dhe ekspertët në vend, pohojnë me bindje se niveli i vjedhjes së rrymës mund të ulet edhe më shumë.
Ata, si një nga zgjidhjet e mundshme të këtij problemi të kahershëm të konsumit të rrymës në Kosovë e shohin te vendosja e njehësorëve digjitalë ose aparateve matëse në shtyllat elektrike apo në hyrje të shtëpive. Sipas ekspertëve, matësit e tillë regjistrojnë sa energji kalon deri aty.
Sipas KEDS-it, jo pak mjete janë investuar në njehësorë digjitalë dhe njësi matëse, dhe këto investime kanë ndikuar që ndër vite të bie niveli i vjedhjes së rrymës, që akoma është shqetësues për nga dëmet që i sjellë kësaj kompanie.
Në KEDS thonë se nga 630 mijë njehësorë, sa ka në konsumin e energjisë elektrike në vend, tashmë rreth 500 mijë prej tyre janë digjitalë.