Në Kosovë ka prapësim të demokracisë

Prishtinë | 03 Gus 2023 | 17:13 | Nga Adil Behramaj

Në Kosovë ka prapësim të demokracisë, sepse oreksi politik i Albin Kurtit është përtej balancimit të pushteteve, siç janë të rregulluara në vendin tonë.

Është shumë e lehtë të dallohet një qeveri me tendenca autoritare. Së pari, një qeveri që synon ta rrisë autoritarizmin, provon ta dobësojë demokracinë me kësi iniciativa ligjore që Gjykata Kushtetuese po ia rrëzon vazhdimisht, në tentim e sipër që ta forcojë vendimmarrjen dhe ta centralizojë atë.

Së dyti, ajo i përdorë institucionet që i kontrollon për t’i luftuar opozitën dhe zërat kritikë, duke tentuar t’i frikësojë dhe paralizojë aktivitetin e tyre.

Po ashtu, tendenca autoritare e një qeverie vërehet edhe kur ajo nuk e respekton pavarësinë e institucioneve dhe vendimmarrjen e tyre. Vërehet edhe kur e anatemon sistemin e drejtësisë, me qëllim të rritjes së ndikimit mbi të për lojën e saj politike. Madje, vërehet edhe kur iu dhemb mendimi ndryshe dhe kundërshtimi publik.

Për më tepër, tendenca autoritare vërehet edhe kur një kryeministër provon ta konsolidojë pushtetin e tij, duke i dobësuar mediat. Në Kosovë, qeveria e Albin Kurtit ka shkuar aq larg në luftimin e mediave, saqë i ka ndërsyer edhe militantët në mënyrë të organizuar kundër tyre për ta relativizuar kritikën dhe ulur besueshmërinë e raportimeve mediale për skandalet e kësaj qeverie.

Dhe në fund, si krejt horrat politikë që provojnë ta rrisin autoritarizmin me kësi qasjeje dhe ta konsolidojnë pushtetin e tyre, edhe ky i yni fshihet pas promovimit efektiv të nacionalizmit që ta ruajë nivelin e mbështetjes politike.

Shoqëria jonë ka kohë që është bërë më pak demokratike dhe fuqia motorike e këtij prapësimi kanë qenë metodat radikale të Lëvizjes Vetëvendosje dhe ambicia e sëmurë e Albin Kurtit për pushtet të pakontrolluar!

Të ngjashme