Në Kosovë krijohen maska me printer 3D për punëtorët shëndetësorë

Prishtinë | 25 Mar 2020 | 20:47 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitar, Shaban Buza ka krijuar maska mbrojtëse për punëtorët shëndetësorë, të punuar me printer 3D.

“Për të ndihmuar punonjësit shëndetësorë, që janë në ballë të frontit me COVID-19 në Kosovë e Shqipëri, Prof. Dr. Shaban Buza, profesor në Universitetin e Prishtinës, mori nismën për prodhimin e një prototipi të pajisjes të emërtuar “Faceshield Mask – Second Line Protection for Hospitals” (Maska mbrojtëse e fytyrës – mbrojtja e linjës së dytë për spitale). Prototipi prodhohet në 3D Printer, bazuar në modelin e siguruar si rezultat i bashkëpunimit të Universitetit të Transilvanisë nga Rumania dhe Universitetit Politeknik të Valencias nga Spanja”, ka shkruar Buza në Facebook, ku ka publikuar edhe fotot e këtyre maskave.

Ai ka shtuar se, “janë krijuar dy ekipe për këtë nismë humanitare: një në Kosovë i udhëhequr nga Shaban Buza dhe i dyti në Shqipëri i udhëhequr nga Dea Buza. Të dyja ekipet kanë prodhuar prototipin e pajisjes, dhe janë vendosur kontaktet me institucionet për të adresuar nevojat”.

Buza shton se mjekët dhe infermierët kanë nevojë sot më shumë se kurdoherë për ruajtjen e shëndetit të tyre që ta ruajnë shëndetin tonë.

“Pasi vlerësimet e para tregojnë se nevojitet një sasi e madhe e këtyre maskave, pra duhet material bazë (filament) shtesë për 3D Printer, poashtu edhe numër shtesë i 3D Printerëve. Andaj, ftojmë të gjithë vullnetmirët që të kontaktojnë udhëheqësit e ekipeve”, ka shkruar ai.\

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, për KOHA-n ka thënë se s’kanë ndonjë marrëveshje për këto maska.

Ditë më parë Ministria e Shëndetësisë përmes një komunikate për media kishte deklaruar se produktet e tilla nuk janë pajisje medicinale.

“Ministria e Shëndetësisë, ndërlidhur me fillimin e prodhimit të maskave nga një biznes prodhues në komunën e Gjakovës, deklaron se produktet e tilla nuk janë pajisje medicinale (medical devices), prandaj edhe nuk kanë certifikatë që garantojnë standardet e cilësisë e të prodhimit si pajisje medicinale”, thuhej në deklaratën e MSH-së.

MSH-ja gjithashtu kishte thënë se nuk është në kompetencë të saj dhe as të njësive të saj vartëse ndërmarrja e ndonjë veprimi në raport me këtë veprimtari të subjektit prodhues.

“Çështja e subjekteve prodhuese është më tepër në përgjegjësitë e Ministrisë së Ekonomisë dhe mekanizmave mbikëqyrës e zbatues të saj. Prandaj, MSh shpreson që kjo çështje të adresohet në mënyrën adekuate në interes të qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa e cenuar afarizmin brenda kuadrit ligjor të subjektit afarist”, thotë MSH.

Image



Të ngjashme