Për të pestin viti me radhë në kryeqytet po mbahet festivali i kafes dhe çajit në sheshin “Zahir Pajaziti”, raporton Ekonomia Online.
Ky festival do të mbahet deri të mërkurën, ku për gjithë qytetarët, kafja dhe çaji do të shërbehen gratis.
Organizatorja e këtij festivali, Gita Lushi, tha se këtë vit në këtë festival marrin pjesë 15 kompani me 25 brende, ku qëllimi i festivalit është promovimi i produkteve të kompanive pjesëmarrëse.
“Sot është hapur edicioni i pestë i festivalit të kafes dhe çajit, këtë festival marrin pjesë 15 kompani me 25 brende, festivali ka nisur sot dhe do zgjasë deri me 2 tetor”.
“Këtë vit kemi edhe brende të reja të kafes të cilat marrin pjesë, është ‘Amo Caffe’ kanë pas interesim edhe prej kompanive ndërkombëtare italiane por për këtë vit nuk iu është përshtatur koha. Risi tjetër është që kemi muzikë live tri ditë rresht nga ora 11:00 deri në 14:00”.
“Vitin e kaluar ka pas pjesëmarrës rreth 30 mijë pjesëmarrës këtë vit presim të rritet numri në 40 mijë. Vet qëllimi i këtij festivali është promovimi i produkteve të këtyre kompanive, përveç faktit që kemi rrethe dhe interesim të kompanive pjesëmarrës ja ka vlejtur dhe janë të kënaqur me këtë festival. Shumica e kafeve në përgjithësi janë gratis”, tha Lushi.
Feronika Vitija nga “Princ Caffe”, tha se nëpërmjet këtij festivali qytetarët njoftohen për rëndësinë e kafes, raporton EO.
“Është viti i dytë që po marrim pjesë në festival të tillë. Ne si ‘Devolli Corporation’ marrin pjesë e të gjitha llojet e kafes. Qëllimi i festivalit është që t’i vetëdijësojmë qytetarët që edhe produktet vendore i përmbushin standardet e produkteve ndërkombëtare. Ne presim që të gjithë adhuruesit e kafes me ardhur me i provuar të gjitha llojet e kafes”.
Ndërsa Berat Ajazi nga kompania “Grand Caffe” të cilët këtë vit marrin pjesë më produktin Miscelad’oro, tha se për ta është viti i 4 i pjesëmarrjes dhe që përmes këtij festivali qytetarët e kanë mundësinë të njoftohen për të gjitha llojet e kafes.
“Jemi duke marrë pjesë me produktin ‘Miscelad’oro’. Është viti i 4 që marrim pjesë në këtë festival, çka po presim prej festivalit është që qytetarët po njoftohen për llojet e kafes”.