Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka organizuar, të shtunën në Prishtinë, një marsh në solidarizim me popullin palestinez, raporton Ekonomia Online.
Një numër qytetarësh kanë marrë pjesë në këtë marsh për të kërkuar drejtësi për Palestinën.
Aktivisti Genti Behrami ka thënë se dhuna që është duke e shkaktuar shteti i Izraelit ndaj popullit palestinezë është tragjedia më e madhe që ka ndodhur në shekullin XXI.
Ai ka thënë se ky marsh kërkon ta kthejë vëmendjen tek terrori që populli palestinez po e përjeton aktualisht dhe synon të i masivizojë thirrjet e palestinezëve për ndalim të gjenocidit.
“Marshi ynë para se gjithash është një akt politik solidarizues e mobilizues që ndonëse simbolik kërkon ta kthejë vëmendjen tek terrori që populli palestinez po e përjeton aktualisht dhe synon t’i masivizojë thirrjet e palestinezëve për ndalim të gjenocidit okupimin të tokave palestineze”.
“Duke u nisur nga premisa e panegociushme e te gjithë popujve për liri dhe vetëqeverisje ne insistojmë që situata aktuale nuk mundë të lexohet si luftë e dy palëve të barabarta. Ajo që po shohim sot duhet të njihet si ndërmarrje gjenocidale e Izraelit kundër një popullit të tërë që vjen si vazhdimësi e okupimit 75-vjeçar të Palestinës nga Izraeli. Vrasje në masë, dëbimeve të dhunshme të popullit palestinez që e kanë shndërruar Gazën në burgun më të madh në qiell të hapur. Kjo është tragjedi më e madhe e shek XXI. Për tre jave janë vrarë mbi 7000 palestinez, prej tyre rreth 3000 fëmijë ndërsa trupat e panumërt janë ende të bllokuar nën rrënoja”, tha ai.
Agjencia për shëndetësi e Kombeve të Bashkuara dhe grupe të tjera të ndihmës thanë më 28 tetor se nuk janë në gjendje të komunikojnë me ekipet e tyre në Rripin e rrethuar të Gazës, përderisa po vazhdojnë bombardimet izraelite dhe sulmet tokësore.
Izraeli është zotuar se do të zhdukë Hamasin, grup që kreu sulme në jug të Izraelit më 7 tetor. Deri më tani, si pasojë e dhunës mbi 7.300 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës dhe mbi 1.400 izraelitë.