Në kuadër të Javës së Bibliotekës, në bashkëpunim me Qendrën Kinematografike të Kosovës, do të organizohet një maratonë filmash me histori prekëse nga jeta e përditshme, rrëfime për sfidat shoqërore dhe plagët e luftës, të cilat pasqyrojnë fuqinë, qëndresën dhe shpresën.
Mbrëmja do të hapet më 7 tetor, ora 19:00 me filmin “Zgjoi”, i frymëzuar nga një histori e vërtetë, i cili ka fituar tri çmime kryesore në Festivalin Sundance dhe dhjetëra mirënjohje ndërkombëtare.
“Në kërkim të Venerës”, me regji të Norika Sefa, do të shfaqet me 10 tetor, nga ora 19:00. Një rrëfim i ndjeshëm mbi përplasjet e një vajze të re me rregullat e familjes dhe shoqërisë, që shfaqet përmes një historie intime e të guximshme. Fitues i Çmimit Special të Jurisë në Festivalin e Roterdamit. Një film që flet me shumë forcë për lirinë personale dhe zgjedhjet e jetës.
Më 11 tetor shfaqen dy filmat “Heroi” dhe “Nëntori i ftohtë”. Në ora 18:00, shfaqet “Nëntor i ftohtë” i regjisorit Ismet Sijarina. Një dramë që sjell realitetin e viteve të ’90-ta në Kosovë, përmes historisë së një familjeje që përballet me sfida të mëdha të jetës së përditshme.
Në ora 19:30, vijon “Heroi” i regjisorit Luan Kryeziu. Një film që ndërthur rrëfimin historik me dramën njerëzore, duke sjellë në ekran guximin dhe sakrificën.
Me shfaqjen e këtyre filmave përmbyllet Java e Bibliotekës.