Në Kuvendin e Serbisë, më 2 shkurt, do të mbahet seanca e posaçme parlamentare për Kosovën. Në atë seancë është ftuar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Pritet që ai të flasë për rrjedhën e dialogut dhe propozimin franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Deputetëve do t’u prezantohet raporti për procesin e negociatave me autoritetet e Kosovës në periudhën nga 1 shtatori i vitit 2022 deri më 15 janar të vitit 2023.
Raporti është dorëzuar në Kuvend nga Qeveria e Serbisë.
Në atë raport nuk përmendet propozimi franko-gjerman për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Çka është plani franko-gjerman?
Plani franko-gjerman tashmë është bërë propozim i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ky dokument ka marrë mbështetjen edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky plan nuk është bërë publik, por ai iu prezantua Beogradit dhe Prishtinës, në shtator dhe dhjetor të vitit 2022.
Në atë dokument, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje më herët, nuk përmendet në mënyrë eksplicite njohja reciproke apo anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Por, në dokument përmendet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Gjithashtu, Serbisë i kërkohet që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Nga e dimë që Vuçiq do të flasë për planin?
Këtë e ka konfirmuar, në Twitter, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një ndër bashkëbisedimet e tij me Boshko Obradoviqin, kreun e partisë së djathtë opozitare Dveri.
Çfarë tha Vuçiq para se të vinte në Kuvend?
Një ditë para seancës së Kuvendit të Serbisë, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tha se nuk beson se në seancë do të arrihet uniteti lidhur me planin për Kosovën.
Gjithashtu, ai theksoi se nuk ka afate kohore për pranimin e planit franko-gjerman.
Më herët, ai ka deklaruar se do t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të deputetëve në Kuvend.
Partia Progresive Serbe e Vuçiqit, bashkë me partnerët e koalicionit, ka 159 nga 250 deputetë në Kuvend.
Çfarë ka deklaruar Vuçiq për planin franko-gjerman?
Më 20 janar, presidenti i Serbisë u takua me ekipin diplomatik evropian-amerikan në Beograd.
Pas bisedës me këtë ekip, ai deklaroi se Serbia është e gatshme të pranojë konceptin dhe të punojë për zbatimin e planit evropian.
Tri ditë më vonë, ai informoi opinionin se ekipi i diplomatëve i kanë thënë se, në rast se nuk e pranon planin franko-gjerman për Kosovën, Serbia do të përballej me ndalimin e integrimeve evropiane dhe investimeve, si dhe se do të rrezikohej regjimin pa viza me BE-në.
Cili është qëndrimi i opozitës pro-evropiane?
Përfaqësuesit e partive opozitare pro-evropiane në Kuvendin e Serbisë kanë thënë se, para se të vendoset nëse do ta mbështesin planin franko-gjerman, është e nevojshme që autoritetet në Serbi ta publikojnë atë.
Ata këmbëngulin që të njihen me propozimin e Brukselit për Kosovën, në mënyrë që të deklarohen për të.
Ky bllok i partive ka 51 deputetë.
Cili është qëndrimi i opozitës së djathtë?
Blloku i partive opozitare me orientim të djathtë, të përfaqësuara në Kuvendin serb, ka paralajmëruar një tubim “të madh kombëtar” kundër propozimit franko-gjerman për zgjidhjen e marrëdhënieve me Kosovën.
Për ta, propozimi franko-gjerman është “kapitullim” dhe “dorëzimi i Kosovës”.
Partitë e djathta opozitare në parlament, Dveri, koalicioni NADA (Shpresa) dhe Zavetnici (Të betuarit), kanë 35 deputetë.
Çfarë pritet nga Beogradi dhe Prishtina?
Ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë angazhuar muajt e fundit për të përfunduar këtë proces.
Për këtë qëllim, propozimi evropian, i njohur si propozimi franko-gjerman, iu dorëzua dy palëve.
Ekipi i diplomatëve, gjatë muajve të kaluar, ka vizituar disa herë Prishtinën dhe Beogradin.
Kosova dhe Serbia, që nga viti 2011 po zhvillojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, nën ndërmjetësimin e BE-së.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, të cilën Serbia nuk e njeh.
Muajt e fundit, marrëdhëniet mes dy vendeve u karakterizuan me incidente dhe tensione.