Në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara, strehimorja e organizatave bamirëse katolike për një kohë të gjatë ka shërbyer si vendbanim për njerëzit e pastrehë. Megjithatë, ajo u mbyll pasi një burrë i pastrehë u diagnostikua me coronavirus, duke i lënë pa zgjidhje 500 persona.
Një qendër tjetër për njerëzit e pastrehë e kishte të pamundur të pranonte më shumë persona, sepse ishte pothuajse e mbushur. Kështu, zyrtarët lokalë vendosën ta caktojnë një hapësirë të re për ata që mbetën nën qiellin e hapur, shkruan “CNN”.
Vendi ku këta persona u dërguan është parking veturash. Shumë njerëz reaguan në rrjetet sociale pas publikimit të një fotografie ku personat e pastrehë shihen të shtrirë në beton. Hapësira është ndarë në katërkëndësha me vija të bardha për të siguruar distancë sigurie shkaku i koronavirusit.
“Nevada, një shtet në njërin nga vendet më të pasura të botës, ka vizatuar kuti për distancim social në një parking veturash prej betoni, që njerëzit e pastrehë të flenë në to”, shkroi një përdoruese e rrjetit Twitter.