Studentët e Fakultetit Ekonomik, në Universitetin e Prishtinës ka vite që për ta kaluar provimin te profesori Berim Ramosaj duhet të mësojnë nga libri i tij, “Bazat e Menaxhmentit”.
Në këtë libër gjinia femërore fyhet rend duke u vlerësuar vetëm si “objekt” seksi, apo që ka ndikim në plotësimin e nevojave seksuale të meshkujve e të cilët pastaj mund të kenë ndikim në vendimet e tyre, shkruan portali INFOKUSI.
Në këtë libër femra merret si shembull “E DASHURA E NDONJË FUNKSIONARI”. “Shembull tjetër i burimit fizik të zotësisë është edhe aftësia për të plotësuar nevojat seksuale të dikujt, p.sh. E dashura e ndonjë funksionari mund të posedoje zotësi të konsideruar dhe ndikim në vendimet e tij në organizatë”, thuhet në librin e profesorit me “nam” të UP-së, Berim Ramosaj.
Sipas këtij shembulli që përdoret nga profesori në këtë libër, femra përdoret për të ilustruar plotësimin e nevojave seksuale të dikujt, madje ajo me përmbushjen e këtyre nevojave të ndonjë funksionari mund të ndikoj edhe në vendimet e tij.
Shprehje të tilla janë denigrim i pozitës së femrës, të cilat e paraqesin atë si objekt seksi karshi mashkullit. Kjo përmbajtje është fyese për femrën dhe forcon akoma më shumë paragjykimet që shoqëria jonë ka për to.
Pavarësisht kësaj fyerje seksiste, askush deri më tani nga studentët nuk ka reaguar. Por, këtë si fyerje të rënd ndaj gjinisë femërore e ka vlerësuar aktivistja feministe, Rreze Abdullahu, e cila për një kohë të gjatë është pjesë e shumë aktiviteteve që kanë për qellim barazinë mes sekseve.
Aktivistja ka vlerësuar se “Profesor Ramosaj, në librin në fjalë, objektifikon vajzën/gruan, duke e lidhur atë me motive për suksese të burrave. Veç se narrativi i përdorur është jo racional, ai lë për të kuptuar që vajzat dhe gratë mund të ngjiten në karrierë dhe mund të kenë sukses vetëm përmes marrëdhënieve që ata kanë ose nuk kanë me “burrat epror” të tyre. Kjo është skandaloze dhe duhet të hiqet nga përdorimi”, ka theksuar ajo.
Kjo nuk është hera e parë që në Universitetet tona shpërbehen me leksione të tilla, për herë të fundit ishte libri i Kriminalistikës me autor Vesel Latifin, libri ky i cili u kritikua për gjuhë të njëjtë me atë të Ramosajt.