Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur të enjten mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime, përfshirë ndarjen e 1.4 milionë eurove për zbatimin e Masës 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Sipas njoftimit të Qeverisë, në këtë mbledhje është miratuar edhe Raporti Gjashtëmujor Financiar i Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2026.
“Ky raport përmban një përmbledhje të trendeve kryesore të të hyrave dhe shpenzimeve buxhetore përgjatë periudhës së këtij gjashtëmujori të vitit 2026”, thuhet në komunikatë.
Advertisement
Sipas të dhënave të prezantuara nga Qeveria, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, pranimet buxhetore kanë arritur shumën prej 1 miliard e 816.52 milionë euro, ndërsa shpenzimet kanë qenë 1 miliard e 777.50 milionë euro.
Në mbledhje është marrë edhe vendimi për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 1 milion e 400 mijë euro për zbatimin e Masës 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
“Janë ndarë mjete buxhetore në shumë prej 1,400,000.00 euro për zbatimin e Masës 3.8 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, bëhet e ditur në njoftim.
Po ashtu, Qeveria në detyrë ka ndarë 21 mijë euro për realizimin e shfaqjes “Taverna Mirësia – Mario, Bella, Anastasia”, me regji të Mario Banushit.
Në fund, është miratuar edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr. 08/20 të datës 22 maj 2026 për miratimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.