Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Qendrën për Promovimin e të Drejtave të Grave, Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Medica Kosova dhe Medica Gjakova, për vendosjen e “Këndit të Kurajos” në këtë ministri, raporton Ekonomia Online.
Selimi me këtë rast tha do të ofrojnë të gjithë përkrahjen e nevojshme për këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë.
“Këndi i kurajos është kurajo që reflekton tek ne. Ne e kemi obligim t’i përkrahim organizatat dhe shoqëritë civile”.
“Si ministri do ta ofrojmë mundësinë që të bëhet kjo nismë kurajo dhe inspirim për të gjithë ne”.
Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti ka thënë se ky kënd do shërbejë si zëri i të mbijetuarve të dëgjohet.
“Prapa këtyre grave janë mijëra familje që na shtyjnë të vazhdojmë këtë kauzë përpara”.
Rushiti shpreson se ky kënd të shkoj deri në presidencë që t’i fuqizojë gratë e mbijetuara nga dhuna seksuale gjatë luftës, raporton EO.
Pjesëmarrëse në nënshkrimin e memorandumit ishte edhe deputetja e AAK-së Donika Kadaj-Bujupi e cila ka thënë së iu është mirënjohëse këtyre zonjave që edhe me përkrahje sado të vogël bëjnë ndryshimin në vend, rajon e botë.