Problemet brenda subjekteve politike gjithmonë bëjnë lajm për opinion publik e sidomos kur ato janë shumë afër të ndarjes në dy pjesë, ashtu siç po ndodh edhe me Lëvizjen Vetëvendosje.
Për disa arsye problem i ndarjes së Vetëvendosjes futi në lojë shumë aktorë brenda dhe jashtë këtij subjekti politik. Përveç që u inkuadruan njerëzit që e kishin luftën mes vete brenda lëvizjes, po ashtu pjesë të lojës u bënë edhe ish-anëtarët e Vetëvendosjes, kundërshtarët politikë, analistët politikë etj. E gjithë kjo ka ndodhur për shkak se Vetëvendosje krijoi standard që as vetë nuk pati mundësi ta përballojë.
Secili nga personat jashtë Vetëvendosjes që janë kyçur me deklarata dhe komente për ngjarjet në këtë subjekt politik së paku njëherë kanë qenë të linçuar në mënyrë të organizuar nga aktivistët e Vetëvendosjes vetëm pse kanë shprehur një mendim që mund të mos i ketë pëlqyer liderëve të kësaj partie. Të njëjtën gjë tashmë ata janë duke e praktikuar në luftën në mes veti.
Lufta në Vetëvendosje ka kaluar në fazën e metastazës ku ndarja e tyre është e pashmangshme e cila po bëhet krejtësisht për interesa personale ashtu edhe siç po shihet nga deklarimet e tyre publike, asgjë nuk do të përfundoj me kaq sepse problemi do të zbresë tashme tek aktivistët të cilët duhet të zgjedhin në mes dy të vërtetave, sepse të dyja palët janë duke thënë të vërteten; ashtu siç është e vërtetë kur Dardan Molliqaj thotë se Albin Kurti dëshironte koalicion me PDK-në po aq është vërtetë se në Vetëvendosje ka pasur edhe ngacmime seksuale ndaj vajzave. Të paktën tashme janë deklarata publike të thëna njëri grup ndaj tjetrit e që do të duhej të merrej edhe prokuroria.
Ajo që duket që do të ndodh shpejtë është ndarja e Vetëvendosjes por ajo që do të merr kohë për tu ndarë janë aktivistët të cilët ndodhen në paqartësi totale për gjithçka që kanë dëgjuar dhe po vazhdojnë të dëgjojnë nga idhujt e tyre politik dhe natyrisht as kjo ndarje nuk do të kaloj pa probleme.
Aktualisht të dy palët po luajnë me ndjenjat e aktivistëve sepse deri sa nuk është bërë publik problemi brenda Vetëvendosjes aktivistët nuk e kanë pasur fare të ditur se lëvizja e tyre e zemrës ka problem të mëdha. Meqë ata kanë ditur mire ta fshihnin për një kohë problemin nga mediat e kanë fshehur edhe nga aktivistët sepse këta të fundit besonin verbërisht në të dhe në njerëzit që i udhëhiqnin. Aq ka qenë besimi i madh sa që aktivistet e rinj edhe në erë do të hidhin veten nëse kjo do të ju kërkohet për ta arritur një qëllim politik për partinë e tyre.
Aktivistët, si arma kryesore e këtij subjekti politik, tash së voni e kanë kuptuar se edhe janë mashtruar edhe janë manipuluar edhe janë gënjyer nga ata që ju kanë besuar, prandaj zgjedhja e tyre është më e vështira, sepse duhet të zgjedhin në mes dy të vërtetave të hidhur për ta, ose ta bëjnë zgjedhjen e mesit që është jashtë këtij subjekti politik.
Vetëvendosja u thirrë në aktivizëm por nuk ua kthej as për së afërmi aktivistëve kontributin dhe sakrificën që ata kanë bërë për këtë lëvizje politike pavarësisht riskut që kanë marr mbi vete.