Në mesin e armëve që u gjetën në Zveçan, edhe armë të kalibrit të NATO-s

Prishtinë | 05 Sht 2023 | 17:30 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në konferencën e thirrur për medie tha se në mesin e armëve që u gjetën sot në Zveçan, nga Policia e Kosovës kishte edhe armë të kalibrit të NATO-s.

Por që sipas Elshanit, deri më tani nuk ka ende të arrestuar, por ka të dyshuar.

“Aty në mesin e armëve kishte kallashnikov edhe municion 5×56, që i bie kalibër i NATO-s. Duke marr parasysh numrin, sasinë dhe llojin e armëve atëherë del që ky vend të jetë edhe depo. Ne nuk kemi të arrestuar, por kemi persona të dyshimtë”, tha Elshani.

Ai tutje tha se nuk mund të jap më shumë detaje pasi rasti është duke u hetuar nga Drejtoria e Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se shtëpia ku është gjetur armatimi ishte përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe, transmeton Teve1.

“Kontrabandimi, hyrja ilegalisht e mallrave e armëve në Kosovë, ka prodhuar situatë shqetësuese edhe për qytetarët tanë në veri, të cilët të përballur me fuqinë e kriminelëve kanë jetuar nën shantazh e presion të vazhdueshëm. Si Qeveri, gjatë 2 viteve të fundit, kemi zbuluar e bllokuar rrugët ilegale të kontrabandimit. Ditën e sotme, Policia e Kosovës së bashku me institucionet e inteligjencës, pas identifikimit, ka zhvilluar bastisje në një bazë të armatimit në veriun e Kosovës, konkretisht në Zveçan. Kjo shtëpi është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje të armatimit për grupet kriminale serbe”, tha ai.

Policia e Kosovës ka treguar se në koordinim me organet e drejtësisë, në ora 09:40, ka kryer kontrollin në shtëpinë pronë e L.G., (1948) në Zveçan.

Gjatë kontrollit të shtëpisë, policia ka gjetur dhe konfiskuar:

  1. Katër (4) armë AK 47,
  2. Tridhjetë e katër (34) karikatorë të armës AK 47,
  3. Një mijë e pesëqind e dyzet e gjashtë (1546) fishekë të kalibrave të ndryshëm,
  4. Tetë granata dore,
  5. Një (1) minë anti-këmbësorie,
  6. Dy (2) gazë-maska,
  7. Dy (2) çanta ushtarake,
  8. Një (1) shok-bombë,
  9. Dy (2) fishekë-zjarre,
  10. Dy (2) optika të armës,
  11. Një (1) thikë ushtarake,
  12. Një (1) maskë ushtarake,
  13. Dy (2) rripa për mbajtje të municionit të gjuetisë,
  14. Pesë (5) çanta të vogla ushtarake,
  15. Një (1) rrip i pajisjeve ushtarake,
  16. Një (1) këllëf i pistoletës dhe
  17. Pajisje për pastrim të armatimit.

Rasti do të vazhdojë të trajtohet nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Drejtorisë së Krimeve të Rënda.

Të ngjashme