Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është deklaruar për bisedën që pati sot me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Ai tha se prekën disa tema, por se kryesorja ishte marrëveshja për importin e gazit nga Rusia dhe çmimin e tij, për të cilën tha se ranë dakord për një “marrëveshje të favorshme”.
“Unë dhe Putin patëm një bisedë shumë të mirë. Biseduam për disa tema të ndryshme. Gjëja më e rëndësishme për ne janë marrëdhëniet tona dypalëshe. Për ne çështja më e rëndësishme është skadimi i marrëveshjes së gazit pas afatit dhjetëvjeçar më 31 maj. Ajo që mund të them është se ne kemi rënë dakord për elementët kryesorë që janë shumë të favorshëm për Serbinë”, tha Vuçiq, shkruan Tanjug.
Megjithatë, Vuçiq nuk foli nëse kanë prekur edhe temën e vendosjes së sanksioneve të Serbisë ndaj Rusisë, një gjë të cilën vendet perëndimore po e kërkojnë nga Serbia. Ai e bëri ankesën e njëjtë se ka presione të çdoditshme dhe se “nuk është e lehtë të bësh një politikë të pavarur”.
Vuçiq para gazetarëve tregoi se Perëndimi po kërkon nga Serbia që sa më parë ta zgjidhë problemin me Kosovën dhe – siç tha ai –
“Dhe kjo nëse është e mundur duke e njohur Kosovën që ky shembull të paraqitet si “sui generis” dhe të forcohet pozita e tyre ndaj Rusisë”.
I pyetur nëse pret intensifikimin e presionit ndaj Serbisë, pas një “bisede të mirë me Putinin” dhe nëse këto presione do të prekin kryesisht Kosovën, Vuçiq u përgjigj se “vendi jeton çdo ditë me këto presione dhe të gjithë e kanë të nevojshme të ndjekin politikën serbe dhe ata e dinë më së miri se si duhet të jetë ajo politikë”.
Në anën tjetër, pas nisjes së agresionit të Rusisë në Ukrainë, vendet perëndimore po synojnë të gjejnë forma alternative për të shmangur përdorimin e gazit rus për të hequr varshmërinë e tyre nga Rusia. Presidenti ukrainas Zelensky akuzoi europianët se po e paguajnë gazin rus me jetën e ukrainasve në vend të eurove ose rublave. Ai në vazhdimësi ka bërë thirrje që të ndalin përdorimin e gazit që vjen nga Rusia.