Komuna e Mitrovicës është ndër komunat ku më së voni janë paraqitur rastet e para me Covid-19. Deri tash, në këtë komunë, përfshirë edhe pjesën e veriut, janë rreth 130 raste aktive me koronavirus.
Drejtoresha e Shëndetësisë në këtë komunë ka apeluar për kujdes te qytetarët, por shtoi se situata është duke u menaxhuar mirë.
Ajo tha se masat e reja janë duke u respektuar nga qytetarët. Derisa edhe vetë qytetarët e kësaj ane i kanë mirëpritur masat e reja të Qeverisë, por që, sipas tyre, vetëdija e qytetarëve mbi situatën me virusin duhet të rritet.
Në sheshet e këtij qyteti shumë qytetarë u panë pa maska, masë kjo e cila është obligative, derisa u panë edhe zyrtarë policorë duke i gjobitur ata.
E njëra nga masat e reja të Qeverisë së Kosovës, që u votuan mbrëmjen e së martës, është edhe zgjatja e orarit të punës në sektorin e gastronomisë. Bizneset në Mitrovicë e kanë mirëpritur këtë.
Mitrovica e Veriut është njëra ndër komunat ku lëvizja e qytetarëve vazhdon të jetë po ashtu e kufizuar nga 22:30 deri në orën 05:00 të mëngjesit.