Në Mitrovicë nënshkruhet memorandumi për strehimin e viktimave të dhunës në familje

Mitrovicë | 09 Gus 2018 | 19:17 | Nga

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ai i Skenderajt, Bekim Jashari, si dhe kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për themelimin e qendrës rajonale që do të shërbejë për strehimin dhe mbrojtjen e viktimave nga dhuna në familje në Mitrovicë.

Me memorandumin e nënshkruar të tre kryetarët obligohen që të sigurojnë kushte normale për punë në këtë qendër, me qëllim të rehabilitimit sa më të shpejtë dhe profesional të viktimave të dhunës në familje, transmeton Klan Kosova.

Në këtë rast, krerët e tri komunave kanë theksuar se është i domosdoshëm angazhimi i të gjitha institucioneve për krijimin e kushteve dhe mekanizmave për mbrojtjen e grave, të fëmijëve dhe të viktimave të dhunës në familje.

Ata u zotuan se në komunat e tyre të gjitha institucionet lokale do t’i kryejnë punët dhe obligimet e tyre ligjore.

“Institucionet duhet të përkushtohen në mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje. Gjithashtu duhet t’i mbrojnë nga pasojat të drejtat e fëmijëve, grave dhe të gjitha kategoritë e tjera të shoqërisë”, kanë shtuar ata.

Të ngjashme