Agjencia për Informim dhe Privatësi ka bërë thirrje që të mos shpërndahet një dokument me të dhënat personale të qytetarëve që po qarkullon nëpër platforma. Në këtë dokument janë të dhënat e aplikuesve për subvencione për tekste shkollore, dhe fëmijëve të tyre, të Mitrovicës.
AIP ka thënë se këto të dhëna po qarkullojnë në grupet e prindërve me qëllim të verifikimit të aplikimit.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) informon publikun dhe të gjitha palët e përfshira se ka pranuar një njoftim mbi qarkullimin, në platforma të ndryshme të komunikimit, të një dokumenti që përmban të dhëna personale të qytetarëve që kanë aplikuar për subvencione për libra shkollorë. Në këtë dokument janë të dhënat personale të aplikuesve (kryesisht prindërit) dhe të dhënat e fëmijëve të tyre, të Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut”, thuhet në njoftim.
Agjencia ka bërë thirrje që asnjë individ apo institucion që ka qasje në këtë dokument nuk duhet ta shpërndajë apo të publikoj më tej këtë dokument me këto të dhëna personale të qytetarëve. Si dhe, ata që posedojnë kopje të tij janë të obliguar ta fshijnë menjëherë nga të gjitha pajisjet elektronike dhe çdo dispozitë të dhënash, fizike a digjitale.
“Përhapja e mëtejshme e këtij dokumenti përbën shkelje të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe mund të rezultojë në pasoja ligjore”, thuhet më tej.