Në mungesë të borës, garat e Kosovës mund të mbahen jashtë vendit

Prishtinë | 02 Mar 2020 | 08:21 | Nga Ekonomia Online

Është shtyrë për një afat të pacaktuar gara e parë e sezonit të Federatës Skitare të Kosovës (FSK).

Gara e parë vendore, Kupa Memoriale “Hajrush Demaj” në disiplinën e sllallomit për kategoritë e reja, e planifikuar të mbahet të shtunën, nuk është mbajtur për shkak të mungesës së borës, ka njoftuar FSK-ja.

E, në rast se vazhdon të ketë mungesë të borës në këtë qendër të skijimit dhe të tjerat, FSK-ja ka edhe planin B.

Në federatë thonë se garat vendore mund t’i mbajnë edhe në ndonjë shtet tjetër që plotëson kushtet për organizimin e garave. Por, zyrtarë të klubeve mendojnë se është vështirë të organizohen jashtë vendit për shkak të kushteve të dobëta financiare.

Megjithatë, kryetari i FSK-së, Milaim Kelmendi, shpreson që garat e radhës të mbahen ashtu siç janë paraparë në kalendarin e këtij sezoni.

“Me aktivitete ndërkombëtare kemi nisur që një muaj, por ende nuk kemi filluar me aktivitetet vendore. Ishte planifikuar të fillojmë nga 28 shkurti, por në mungesë të borës është shtyrë gara për një afat të pacaktuar. E kemi diskutuar edhe mundësinë që garat e Kosovës t’i mbajmë jashtë vendit”, ka thënë Kelmendi për gazetën.

Por, trajneri i klubit më të suksesshëm të skitarisë ‘Alpi’, Agim Pupovci, ka theksuar se do të ishte problem për klubet që të merrnin pjesë në gara jashtë vendit me gjithë skitarët.

“Shkaku i financave, është tepër e vështirë për klubet. Garat anulohen edhe në vendet tjera dhe kjo është normale që ka sezone që nuk arrihet të përmbushet kalendari. Borë ka dhe mendoj se do të arrijmë t’i mbajmë garat edhe në Kosovë”, ka thënë Pupovci, që njëherësh është edhe selektor i Kosovës.

Në fakt, klubet qëndrojnë dobët.

Të ngjashme