Në mungesë të prokurores së rastit Fetije Bajrami, ka dështuar të mbahet seanca e së premtes në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, në rastin ku Saranda Cakaj në cilësi të drejtoreshës së prokurimit publik në Komunën e Vushtrrisë, akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Kryetari i trupit gjykues, Avni Mehmeti tha se prokurorja Bajrami ka qenë e ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo e njëjta e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë prezente sepse është në pushim vjetor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësi Mehmeti tha se gjykata më 13 tetor 2023 i ka dërguar ftesë të rregullt Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, konkretisht prokurores së rastit dhe se e njëjta e ka pranuar ftesën në të njëjtën datë.
Gjykatësi tha se ka qenë detyrë e Prokurorisë që t’i planifikojë saktë edhe pushimet, sepse kanë qenë të informuar se e pandehura jeton në Gjermani dhe për të marrë pjesë në seancën e shqyrtimit gjyqësor udhëton nga atje për në Kosovë, andaj mungesën e prokurores e cilësoi të paarsyeshme sepse ka qenë e njoftuar tre muaj më parë për këtë seancë.
“Në anën tjetër, dihet që këto lëndë të kësaj natyre kanë prioritet ligjor dhe Prokuroria është dashtë t’i kushtojë kujdes të veçantë kësaj natyre të lëndës dhe mos të vijmë në situatën ku seanca të shtyhet për shkak të mungesës së prokurorit”, tha gjykatësi Mehmeti.
Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty.
Ndryshe, të pranishëm në seancë ishin e akuzuara Saranda Cakaj me mbrojtësin e saj, avokatin Valdet Kadriu dhe dëshmitarët Bislim Dushi, Xhevrije Halili, Nexhit Perçuku.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë kundër Saranda Cakaj më 15 korrik 2022, me arsyetimin se më 28 shtator 2018 në Komunën e Vushtrrisë, e pandehura me dashje ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë një oferte për dhënien e kontratës së prokurimit publik, duke marrë veprim të paligjshëm, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e një autoriteti kontraktues në procedurën e prokurimit publik.