Në murin e Ambasadës së BiH në Podgoricë shkruhet një grafit në mbështetje për gjenocidin në Srebrenicë

Prishtinë | 16 Dhj 2025 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Në murin e ambasadës së Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH) në Podgoricë gjatë natës është shkruar një grafit me të cilin lavdërohet gjenocidi ndaj popullsisë boshnjake në Srebrenicë në vitin 1995 dhe i dënuari për krime lufte Ratko Mladić.

Me sprej blu në murin e ambasadës me shkronja të mëdha është shkruar “Gjeneral, faleminderit për Srebrenicën!”, ndërsa mbi tabelën me shenjën e Ambasadës janë vizatuar ocila – simbol kombëtar serb. Siç i është thënë jozyrtarisht Radios Evropa e Lirë nga Ambasada e BiH, stafi këtë mëngjes i ka hasur grafitet e diskutueshme gjatë ardhjes në punë, pas së cilës kanë thirrur policinë.

Këqyrja policore ka zgjatur deri në orën 10. Pritet deklarimi i prokurorit kompetent për kualifikimin e veprës.

Radio Evropa e Lirë ka mësuar jozyrtarisht se vizatimi i grafiteve mund të kualifikohet si nxitje e urrejtjes fetare dhe kombëtare.

Nga Ambasada është thënë se do të deklarohen më vonë me një njoftim.

RSE ka dërguar kërkesë për koment për këtë incident Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi.

Ratko Mladić, emri i të cilit përmendet në grafite, para Gjykatës së Hagës është dënuar për gjenocid në BiH.

Mladić, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Serbe, është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë 1992–1995.

Të ngjashme