Në Klinikën e Pediatrisë janë trajtuar 34 fëmijë të infektuar me Coronavirus. Hajdin Ymeri, pediatër në këtë Klinikë, në një intervistë për Ekonomia Online ka treguar se aty po trajtohen edhe fëmijë me sëmundje të tjera.
“Gjendja e fëmijëve në Klinikën e Pediatrisë është relativisht e mirë. Prej fillimit që janë diagnostikuar në klinikën tonë kanë qenë 34 fëmijë”.
“Mirëpo ka fëmijë që përveç infeksionit me Coronavirus ka edhe me sëmundje të tjera siç është pezmatimi në mushkëri, problemet neurologjike, kardiologjike”.
Ai ka shtuar se kanë personel të mjaftueshëm që të ballafaqohen me pandeminë dhe se asnjë fëmijë nuk është në oksigjenoterapi.
“Kemi kapacitete dhe personel të mjaftueshëm dhe mund të ballafaqohemi me këtë infeksion që paraqitet te fëmijët. Në oksigjenoterapi nuk është asnjë fëmijë. Mund të jetë edhe më i mirë sa i përket furnizimi me barna”.
Ymeri ka treguar se në Pediatri kanë trajtuar edhe një fëmijë me një defekt në zemër, e që ka qenë i infektuar edhe me Coronavirus, raporton EO.
“Faktikisht një fëmijë shtatë muajsh është trajtuar në klinikë i sëmurë me një defekt të madh në zemër, i cili ka qenë një javë i shtrirë në klinikë mirëpo prognozën e ka pasur shumë të vështirë dhe është infektuar me Coronavirus”.
Sipas tij, Klinika është në dispozicion për të gjithë fëmijët, ndonëse thotë se kanë staf të reduktuar në ambulancat specialistike.
“Ne nuk po kemi hapësirë për t’i vendosur në spitale të tjera fëmijët andaj Klinika e Pediatrisë është në funksion për të gjithë fëmijët, atëherë e kemi hapur njësinë tonë. Përveç asaj njësie që është prej 10 deri në 12 shtretër klinika funksionon edhe për raste të tjera”.
“Ka një muaj që jemi në mënyrë të kompletuar duke punuar në klinikë, mirëpo kemi edhe staf të reduktuar në ambulancat specialistike. Derisa funksionojnë ambulancat specialistike, kryejnë edhe kontrollet e fëmijëve që janë të sëmurë”.
Edhe për sëmundjet e rralla, Pediatria është në dispozicion të fëmijëve, por Ymeri thotë se janë në pritje nga Qeveria që të kenë furnizim të vazhdueshëm me barna dhe mjete të tjera.
“Për sëmundje të rralla kemi kohë pas kohe që vijnë në terapi mirëpo intenca jonë është hibrocistike me iu siguruar fëmijëve. Këto janë siguruar prej një donacioni bamirës amerikan dhe po presim nga Qeveria të kemi furnizimi të vazhdueshëm”.
“Klinika nuk është në funksion mirëpo pritet që brenda 3-4 muajve mu bo si njësi ndërmjet repartit intenzivë, kirurgjisë së fëmijëve dhe hematologjisë”, tha ai për EO.