Në përvjetorin e vrasjes së Qerim Kelmendit, ish të burgosurit kërkojnë zbardhjen e vrasjes së tij

Prishtinë | 27 Shk 2025 | 13:33 | Nga Ekonomia Online

Shoqëria Lëvizja, organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së dhe Shoqata e të Burgosurve Politikë në Kosovë ka organizuar akademi përkujtimore në 5 – vjetorin e vrasjes së Qerim Kelmendit, raporton Ekonomia Online.

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së të Burgosurve Politikë në Kosovë, Binak Ulaj, tha se sot u bënë 5 vjet dhembje, brengosje për mos zbardhjen e vrasjes së Qerim Kelmendit, tani hero i Kosovës.

“Ai ka lindur në një familje atdhetare e cila ishte e detyruar t’i braktisjet trojet në fshatin Vuthaj të Plavës e Gucisë, për t’i shpëtuar dhunës së egër të pushtuesve malazias e serb që bënin krime me qëllim të pastrimit etnik të viseve shqiptare të pushtuara.  Kjo familje bashkë më mallin për vendlindje do ta ruaj edhe traditën e besë e  trimërisë, tipar këto që do t’i kultivojnë të fëmijët e tyre”,  tha Ulaj.

Nënkryetari i Organizatës së veteranëve, Gazmend Syla, tha se Organizata e veteranëve të luftës posedon një listë të gjatë të luftëtareve të lirisë që u vranë pas luftës.

“Fatkeqësisht në këtë listë të gjatë është një numër i madh i atyre djemve që na u vranë e nuk u mor vesh kurrë kush na vrau. Në fakt ne e kuptuam që na vranë ata që nuk e deshtën lirinë, nuk e deshtën Shqipërinë dhe mes Shqipërisë dhe Serbisë e deshtën më shumë Serbinë. Por, atentatorët e tyre asnjëherë nuk i pamë në bankën e të akuzuarve e të gjykuarëve që së paku të jetë një lehtësim për ne dhe për familjet e atyre djemve që na u vranë”,  tha Syla.

Një nga shokët dhe bashkëluftëtaret e Qerimit, Blerim Muriqi duke folur për jetën e Qerimit, tha se jemi pesë vite pas rënies së tij dhe akoma nuk e kemi një gjurmë, përveç asaj të diturës së përgjithshme që ai i prishi planet vetëm Serbisë dhe se sipas tij Serbia duhet të ishte urdhëruesi i vrasjes së tij.

“Kjo është bindja jonë, kjo është ajo që rezumon veprën jetësore të Qerim Kelmendit, andaj asnjëherë nuk duhet të hamendsohemi që Serbia nuk kishte plan bazik të vrasjes së tij dhe i qindra dëshmoreve të tjerë luftëtar që u vranë pas lufte”, tha ai.

Kryetari i BDI, Ali Ahmeti, Qerim Kelmendi ishte një yll i pavdekshëm dhe ashtu do të mbetet.

“Qerimi ishte një yll paralajmërues dhe furnizues i luftëtareve të lirisë, kompanive të para në Drenicë tekë Adem Jashari, kompanive të para në Dukagjin si në Gllogjan e vendbanimet tjera. I trazuar si oqean për hakmarrje, pat hakmarrje të thellë për Luan Haradinaj. Më vono i ndodhi që i iku shoku që i ra Adriani, për të vazhduar me Zahirin, Edmondin që ju shtua akoma trazira këtij oqeani deri në furnizimin e pjesës dërmuese të ushtrave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare me gjurmë të pashlyeshme nga vetë dora e Qerim Kelmendit dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Qerim Kelmendi ishte një yll i pavdekshëm dhe ashtu do të mbetet”, ka thënë ai.

Në emër të familjes Kelmendi, Muhamet Kelmendi tha se u takon gjeneratave të ardhshme që të vazhdojnë rrugën që filluan këta luftëtar të lirisë.

“Na takon neve, ju takon juve, ju takon gjeneratave të ardhshme që të vazhdojnë rrugën që filluan këta luftëtar të lirisë. Në emër të familjes Kelmendi u falënderoj, iu na dhatë shpresës, na dhatë guxim, na dhatë trimëri që të vazhdojmë edhe të ardhmen rrugën që e kishte Qerimi”, tha Kelmendi.

Të ngjashme