Në Podujevë projektet po realizohen sipas planit

Podujevë | 28 Qer 2017 | 15:22 | Nga

Në takimin publik me qytetarë, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka prezantuar ecurinë e realizimit të projekteve të planifikuara me buxhetin e Komunës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2017.

Në komunën e Podujevës është mbajtur takim publik me qytetarë, të cilin, në mungesë të kryetarit të Komunës, Agim Veliu, i cili ndodhet në vizitë zyrtare jashtë vendit, e ka udhëhequr nënkryetari Nexhmi Rudari, e ku ishin të pranishëm edhe drejtorët e drejtorive komunale.

Lidhur me ecurinë e realizimit te projekteve të parapara për vitin 2017 (gjashtëmujori i parë), nënkryetari Rudari tha se ato janë duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë.

Nënkryetari Rudari tha se në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë realizuar projektet e planifikuara me buxhetin e Komunës për vitin 2017.

“Gjithashtu edhe procedurat e prokurimit për projektet e planifikuara po zhvillohen sipas dinamikës”, tha nënkryetari Rudari.

Duke prezantuar projektet e realizuara në gjashtëmujorin e parë, në secilën drejtori, nënkryetari Rudari tha se drejtoria e Administratës është duke realizuar projektin e ndërtimit të objektit të gjendjes civile në Lluzhan si dhe kanë përfunduar procedurat për vendosjen e E-kioskës.

Në Drejtorinë e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, tashmë janë realizuar disa projekte.
Nënkryetari Rudari tha se tashmë janë asfaltuar disa rrugë në Lagjen e “Bajgorët” në Dobratin, rruga “Selim Obrança” që lidh Obrançën me Tabet e Llapashticës dhe një segment i rrugës Podujevë-Livadicë. Gjithashtu është rregulluar hapësira publike tek objektet e banimit kolektiv në Rrugën “19 Qershori” në Podujevë. Më tej, nënkryetari Rudari tha se janë në fazën e realizmit projektet e asfaltimit të disa rrugëve në Llaushë, Batllavë, Shtedim dhe Blloc, kurse janë në procedurë të tenderimit edhe shumë projektet të tjera.

Rudari tha se edhe në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim projektet e planifikuara janë duke u zhvilluar sipas dinamikës.

“Janë realizuar projektet e ndërtimit të trotuareve përgjatë segmenteve rrugore në fshatrat Dobërdol-Zakut-Kërpimeh, Bajçinë, Bradash, Rruga ‘Qendresa” në Podujevë, Llugë, Battllavë, Shajkoc, Katunishtë dhe rruga magjistrale (hyrja e qytetit Podujevë- Shtedim). Të gjitha këto projekte të realizuara përfshijnë një gjatësi prej 13,5km trotuare”, tha nënkryetari Rudari.

Në kuadër të kësaj drejtorie janë realizuar edhe projekte të meremetimit të 70 rrugëve me zhavorr. Ndërsa, janë realizuar projekte të ndërtimit të kanalizimit fekal në disa fshatra në një gjatësi prej 11,4 km. Janë larguar deponitë ilegale të mbeturinave në 41 lokacione. Gjithashtu është duke u kryer edhe shenjëzimi horizontal dhe vertikal në rrugët e qytetit.

Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural gjatë kësaj periudhe ka subvencionuar projektin për perimkulturë, me shpërndarjen e serrave për 100 fermerë. Gjithashtu është shpërndarë sistemi i ujitjes pikë-pikë për 260 fermerë. Ndërsa, është në proces të tenderimit edhe subvencionimi i projektit për bletari në vlerë prej 50 mijë euro, ku do të përfitojnë 100 bletarë nga 5 shoqëri bletësh. Është finalizuar edhe projekti i certifikimit me standardin Global Gap të 525 kultivuesve të mjedrës.

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, sipas nënkryetarit Rudari, ka realizuar projekte të renovimit të objekteve shëndetësore, kurse tashmë janë zhvilluar procedurat e prokurimit për blerjen e automjetit për bartjen e pacientëve të hemodializës si dhe projekti për furnizim me pajisje mjekësore.

Nënkryetari Rudari gjithashtu tha se në sektorin e arsimit janë realizuar dhe do të realizohen disa projekte të renovimit të shkollave, kurse janë në fazën e fillimit punimet për ndërtimin e objektit të Shkollës “Drita” në Llapashticë të Poshtme.

Qytetarët morën pjesë në debat, duke shtruar pyetje për projektet e realizuara dhe ato që janë në planifikimet e komunës së Podujevës për t’u realizuar gjatë këtij viti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme