Na paralajmërojnë krizën energjitike. E bukura është se atë e bën kryeministri i Shqipërisë. Sigurisht ai ka konsultuar shërbimet e veta para sesa t’a deklarojë që çmimet do të ngrihen, ndofta nis ndërprerja e energjisë, me pasoja që ende nuk i kemi parë. Por, mos kujtojë njeri se do të jenë si ato skena kur rreth mangallit, pa energji elektrike, ne kërkonim të ndizej vetëm llampa në dhomën me mure të bëra blozë.
Deklarimet për energjinë kemi nevojë t’i dëgjojmë nga zëra teknikësh, me pikëpamje të ndryshme, sepse ndryshe si në rastin e vaksinës, populli nuk beson. Dhe ka të drejtë të jetë mosbesues. Flasin politikë, analistë, opinionistë, por nuk zëra teknikë që të flasin mbi baza studimesh.
Dhe qershia mbi tortë kryeministri i vendit fqinj përtej liqenit të Pogradecit citon kryeministrin tonë për të bindur qytetarët e vet se do të ketë krizë energjitike, të pashmangshme, fatale, të paevitueshme, për faj të asnjeriut dhe për këtë i referohet shokut dhe mikut të vet, siç thotë, në Tiranë!!! Komedi si lojë ping pongu në të dy anët e kufirit. Ma hidh topin, ta hedh!
Nejse.
Unë shtroj hipotezën se kriza nuk vjen nga situata rastësore konjukturale postcovidiane. Sigurisht një problem të lidhur me të ka, por kjo vjen sepse ne me politikat tona energjitike, nuk kemi ecur me kohën, jemi prara kohës, nuk kemi parë se çfarë bëhet në Evropë, sepse ne na kanë izoluar nga Evropa.
Me një fjalë jemi jashtë kohe dhe vendi si shoqëri, si treg, si komb, për shkak të politikave të verbëra të ndjekura. Me fjalë të tjera jemi aty midis shekullit 19-të dhe gjysmës së dytë të shekullit të XX. 50 vjet prapa asaj që ndodh në vendet e përparuara. Kjo vjen si për shkak të pandërgjegjeshmërisë të klasës politike, pasojë e injorancës, e vetlavdërimeve të fryra delirante, etj. Edhe për shkak se partia që vjen në pushtet e ka vështrimin te mandati i vetë katërvjeçar dhe nuk mendon më gjatë.
Unë nuk do të merrem me prodhimin e energjisë elektrike. Nuk jam specialist. Por me diçka tjetër që vërteton se jemi ende me mentalitetet e qymyrgurit të minierave të Anglisë disa shekujve më parë.
E para, ne nuk kemi asnjë politikë deri mësot për të çuar përpara energjitë e rinovueshme, ekologjike, të përballimit të çekuilibrimeve klimaterike planetare, të ndotjes së mjedisit dhe të shterrimit të energjive klasike.
As bëhet fjalë për panele diellore masive si projekt gjigand, as bëhet fjalë për fusha eoliane ndonëse kemi erëra të forta dhe korrente të fuqishme ajri, as bëhet fjalë për biokarburantet, asgjë prej gjëje, ku bota po invenston prej dekadash.
Ne thjesht lusim Zotin të bjeri shi dhe kullandrisemi me liqenet artificiale të trashëguara duke shpresuar që mos derdhet “filxhani” mbi Shkodër, Lezhë, etj, pra në “veneciat” shqiptare të përmbytura çdo vit.
Kështu vetëm barbarët janë sjellë me burimet energjitike të vendit.
Së dyti, pastaj ne harxhojmë energjinë elektrike pa hesap, pasi si esnafë që jemi, mjaft TEC-e që punonin me qymyr i kemi lënë në gjendjen ku duken si në muzetë postmoderne vetëm oxhaqet që ngrihen si obelisqe penisesh të rrënuara.
Së trei, ndërkohë kemi braktisur trenin për transport dhe vendin e tyre për lumturinë e madhe qiellore të binzeseve të karburanteve, e kanë zënë dhjetra mijëra automjete që harxhojnë karburante si lubi të pangopshme. Kilometër e pompë karburanti.
Mjedisi është kthyer në një tenxhere të mbyllur, të ndotur.
Së treti, sikur të mos mjaftonte kjo ne ngrohemi në dimër dhe ftohemi në verë me energji elektrike individuale. Në dimër kaloriferët dhe në verë kondicionerët konsumojnë pa fund energji elektrike. Sepse ndërtohet pa menduar që ndërtesat të kenë ngrohje kolektive, nuk mendohet për termoizolimin e përforcuar sikurse bën bota e zhvilluar me teknologjitë reja, etj.
Së katërti, pasi qytetet tona të mëdha u zhveshën nga gjelbërimi, betoni e nxeh qytetin në verë me katër ose pesë gradë më shumë se më parë, pasi premë pemët, dhe pengojmë korrentet e ajrit me kulla dhe ndërtesa vendosur pa marrë parasysh kontekstin gjeografik dhe natyror të urbanizimit barbar, kërkojmë të ftohemi në banesa duke vënë në punë kondicionerët elektrikë.
Ku pyet politika jonë fitimtare për krizën globale të energjisë? Ne marshojmë përpara, dhe nuk e kemi mendjen te qentë që lehin! Veç kur një ditë na plas bomba në dorë! Dhe thërrasim: Po shkatërrohemiiiii! Eshtë e pashmangshme si tërmeti, si pandemia!!!
Së pesti, pastaj të shohim politikat e shpërndarjes dhe të menaxhimit të energjisë dhe ujit! Për faqe të zezë, si në kohën e ekonomisë komuniste. Ujin dhe energjinë e kemi vendosur nën diktatin e diktatorëve të vegjël që drejtojnë bashkitë. Pra, të politikës. Monopol ekonomik, por edhe monopol politik. Të kesh një problem me dritat e ujin, si puna ime, dhe të duash të ankohesh duhet të përballësh qeverisjen lokale. Duhet të përballesh me politikën. Në gjyq, kush ta jep të drejtën kur përballesh me politikanë dhe qeveritarë që veç dorën të luajnë e bëjnë gjyqtarin e shkretë të dridhet.
Për të mos thënë që çmimet e energjisë bëhen monopol. Ndërmarrjet përkatëse punësojnë në funksion të politikave partiake të burimeve njerëzore, dhe në funksion të elektoralizmave.
Në vend të liberalizohet me kujdes dhe politika ekuilibruese tregu i shpërndarjes të energjisë sikurse ndodh në qytetet e shekullit XX, ne pranojmë që me paratë tona, ndërmarrjet lokale të paguajnë gazetarë, propagandistë, të partive në pushtet, dhe e gjitha të na faturohet neve!
Prandaj edhe qeveria të na thotë se çfarë politikash afatgjata ka për energjitë, përtej luajtjes me konjukturat, edhe njësitë shkencore të shohim ku janë sepse bëjnë gjumin letargjik, por edhe opozita jonë e nderuar të mos na lëshojë pesë fjali fluturake duke na treguar si ndihmohen familjet në nevojë, sepse ne jemi të gjithë nevojtarë. Me përjashtim të disa sigurisht. Opinioni pret që opozita të vejë gishtin te strategjitë e politikave të ndjekura, të bëjë autokritikë, të kërkojë politika strategjike edhe pse mund të ketë frikë se mos prek gjumin e rehatshëm të ndonjë manjati energjish!