Në prill merret vendimi për tarifat e energjisë elektrike, s’dihet a do të ketë ulje

Prishtinë | 30 Jan 2024 | 10:28 | Nga Ekonomia Online

Çdo vit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike merr vendim për tarifat e reja të energjisë. Zyrtarë të ZRRE-së, kanë konfirmuar për Radio Kosovën se ende nuk dihet nëse do të ketë ulje apo ngritje të tarifave të energjisë. Ekonomistët vlerësojnë se edhe një rritje e çmimit të tarifave, do të rëndonte edhe më shumë qytetarët.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në prill të këtij viti, merr vendime të reja për tarifat e energjisë elektrike. Duke folur për Radio Kosovën zëdhënësi i ZRRE-së, Petrit Pepaj, ka thënë se nuk dihet nëse do të ketë ulje apo rritje të tarifave, apo tarifat do të jenë të njëjta.

Ai thotë se për të arritur të mbulohet konsumi vendor, Kosova aktualisht është duke importuar energji elektrike në vlerë prej 90 milionë euro, që çmimi mesatar është 126 euro megavat energji elektrike.

“Tash është koha kur procesi i përshtatjeve të tarifave i cili fillon në këtë muaj dhe zgjat deri në fund të marsit, nëse tarifa ka qenë i mbivlerësuar, bëhet përshtatja dhe konsumatorët e përfitojnë në shqyrtimin e ardhshëm tarifor. Në prill, ZRRE merr vendim për ngritje të tarifave, a mund të ketë ulje apo mund të ketë ngritje të tarifave të energjisë, apo do të ketë tarifë të njëjtë, do të bëhet mbi bazën e ekspertëve të ZRRE-së së rregullatorit të energjisë. Asnjë element nuk mund të përjashtohet në situatën në të cilën jemi, përderisa nuk i kemi analizat dhe në bazë të saj njoftohet opinion publik për tarifat e reja se sa do të jenë”, tha ai.

Pepaj thotë se një pjesë e madhe e energjisë që konsumohet në vend, prodhohet prej termocentraleve dhe burimeve të tjera të ripërtërishme, e që burimet e ripërtërishme marrin pjesë diku me 5 për qind të prodhimit të përgjithshëm, ndërsa pjesa tjetër është e mbuluar nga termocentralet dhe diku 10-15 për qind.

Rritja e çmimeve të energjisë, me automatizëm rrit dhe shpenzimet e tjera, çka do të rëndonte ekonominë familjare, thotë për Radio Kosovën njohësi i ekonomisë, Ardijan Sahiti.

“Dëmtohen shumë, sepse kur rritet energjia elektrike rriten edhe shpenzimet e tjera, në anën tjetër, pagat nuk kanë lëvizur dhe kjo ndikon negativisht shumë, jo vetëm në aspektin ekonomik që na zgjat varfërinë. Ka më shumë raste të dhunës në familje, divorce, problemet janë përveçse ekonomike, edhe psikike, njerëzore dhe sigurisë që do të ketë impakt shumë të madh”, tha Sahiti.

Ndryshe, në përputhje me Rregullën e Çmimeve, ZRRE-ja kryen përshtatjet e të hyrave të lejuara dhe tarifës së rregulluar me pakicë, të realizuar në fund të çdo viti relevant. Mbi 15 për qind ishte rritja e fundit e energjisë elektrike në Kosovë.

Të ngjashme