Nga fundi i javës së ardhshme, pritet që qytetarët e Prishtinës të mund të kryejnë teste të shpejta për Covid-19 dhe rezultatin ta marrin brenda 15 minutash.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka dhënë detaje.
“Një risi e cila do të ndodhë në fund të javës së ardhshme, brenda 10 ditësh do të jenë testet e shpejta me strisho, antigjen”, tha Gashi për RTV Dukagjini.
“Kemi arritur që të porosisim 18 mijë teste për kryeqytetasit. Janë teste rapide që kryhen me aparatura të sofistikuar dhe janë të fundit në botë që janë shumë të suksesshme dhe kanë një përqindje të besueshmërisë prej 97 për qind”, shtoi ai.
Për një hap të tillë Gashi thotë të jenë këshilluar me IKSHPK-në dhe ekspertë të këtij lëmi.
“Brenda 15 minutave do të tregojnë rezultatin e qytetarëve që do të testohen për antigjen Covid-19”, tha Gashi.