Në Prishtinë mbahet fushatë vetëdijësuese rreth ciklit menstrual

Prishtinë | 28 Maj 2018 | 12:54 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Raven City Production”, në bashkëpunim me UNFPA-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë, kanë mbajtur fushatën vetëdijësuese me rastin e Ditës së Higjienës Menstruale.

Visare Mujko-Nimani, nga UNFPA Kosova, tha se Kosova po e shënon këtë ditë për të vetëdijësuar qytetarët në lidhje me ciklin menstrual, i cili është fenomen tabu në shoqërinë tonë dhe flitet me turp për këtë pjesë, raporton Ekonomia Online.

“Kosova po bëhet pjesë e 400 organizatave në botë që po e shënon këtë ditë që të thyhen tabutë në lidhje me këtë fenomen natyror, normal dhe të shëndetshëm që u përket vajzave dhe grave riprodhuese, por për fat të keq ky fenomen në shoqëri flitet me turp duke mos iu dhënë mundësi që të përjetojnë çdo muaj në mënyrë të dinjitetshme dhe t’u ofrohen kushte të përshtatshme në punë, shkolla, etj.”, tha Mujko-Nimani.

Blerta Gubetini tha se qëllimi i kësaj fushate është të theksojë nevojën e higjienës gjatë menstruacioneve dhe të përmirësojë reagimin e shoqërisë ndaj këtij procesi biologjik, i cili është i lidhur me të drejtat njerëzore të grave dhe vajzave dhe barazinë gjinore.

“Organizatorët përveç ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e kësaj çështje hasën në një grup të synuar shumë të nevojshëm për ndihmë. Këto janë gratë në strehimore të grave në Kosovë. Ky grup jeton nga subvencionet dhe donacionet, për këtë qëllim Butterfly ka bërë një donacion për 6 muajt e ardhshëm në formën e pecetave higjienike për të gjitha strehimoret në Kosovë”, tha Gubetini.

Gruaja e parë shqiptare që arriti të ngjitej në malin Everest, alpinistja Uta Ibrahimi, përmes një letre të shkruar ka përkrahur ngjarjen e sotme për ciklin menstrual, raporton EO.

Ajo tha se shpeshherë për ciklin menstrual hezitohet të flitet haptas, është një gjë tabu prej shumë nesh dhe këtë ajo e ka kuptuar pikërisht kur është kthyer nga ngjitja historike e Majës më të lartë në tokë, Majës Everest.

“Sa herë më është bërë pyetja se cila është pjesa më sfiduese gjatë kësaj ngjitjeje, patjetër që gjithë mendja më ka shku te cikli por që nuk e kam shpalosë këtë storje. Ditën e Majës kam qenë në ditën e dytë të ciklit. Pavarësisht që trupi jonë është më i dobët se zakonisht, unë prapë kam arritë me u ngjitë në maje, e besoj që cikli menstrual është diçka që nuk duhet me na ndalu me i arritë qëllimet tona”, shkroi Uta.

Marigona Dermaku nga Kompania Butterfly tha se Butterfly ka qenë përkrahëse financiare dhe morale e Ditës Ndërkombëtare të Higjienës Menstruale, raporton EO.

Ndërsa, në fund të aktivitetit është shfaqur një video vetëdijësuese nga aktori i Stupcave, Osman Azemi duke informuar për mënyrën se si përdoret peceta dhe infeksionet që mund të merren nga moskujdesi gjatë ciklit menstrual.

Të ngjashme