Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit ka realizuar përqindje të ulët të hyrave vetjake gjatë vitit 2016. Në raportin mbi realizimin e buxhetit për periudhën janar-dhjetor 2016 thuhet se arkëtimi i të hyrave nga shfrytëzimi i tokës dhe lejet e ndërtimit është i pakënaqshëm.
“Realizimi i të hyrave të vitit 2016, është jo aq i kënaqshëm në arkëtimin e të hyrave nga shfrytëzimi i pronës komunale 29 për qind; shfrytëzimi i tokës dhe lejet e ndërtimit 36 për qind; licencat për lojëra zbavitëse, pije alkoolike, reklama, shpallje etj./lejet 34 për qind”, thuhet në raport, sipas organizatës Ec Ma Ndryshe.
Sipas të dhënave zyrtare, Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor për vitin 2016 kishte planifikuar që të arkëtojë 1 milion e 950 mijë euro, por ka arkëtuar vetëm 753 mijë euro, apo 39 për qind. Pjesën dërmuese të të hyrave, DUPH e kishte planifikuar në pozicionin “Shfrytëzimi i tokës dhe lejet e ndërtimit” me 1 milion e 890 mijë euro, derisa ka arritur që të arkëtojë afër 677 mijë euro, apo 36 për qind. Në buxhetin e vitit 2015, planifikimi në këtë pozicion buxhetor ka qenë më i ulët për 600 mijë euro, derisa realizimi ka qenë i ngjashëm me atë të vitit 2016, përkatësisht janë planifikuar të arkëtohen 1 milion e 288 mijë euro dhe janë arkëtuar mbi 676 mijë euro apo 53.
Ndërkaq te shpenzimet për investimet kapitale, DUPH-ja për vitin 2016 kishte planifikuar 520 mijë euro, nga të cilat janë alokuar 312 mijë euro dhe janë realizuar afër 247 mijë euro, apo përgjysmë më pak nga planifikimi.
EC Ma Ndryshe ka parasysh faktin se planifikimi i të hyrave vetjake të DUPH-së për vitin 2016 është bërë kryesisht duke e marrë për bazë procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje. Mirëpo, raportet e Komunës dhe MMPH-së tregojnë se në Komunën e Prizrenit janë regjistruar afër 28 mijë ndërtime pa leje, derisa janë vetëm 72 aplikime për legalizim, ndërkohë që trendet e procesit kanë qenë të njohura për administratën komunale.
Për këto arsye EMN rekomandon organet përgjegjëse që planifikimi i të hyrave vetjake për DUPH-në të bëhet mbi baza reale dhe duke i marrë parasysh zhvillimet në terren, pasi që mos realizimi në shkallë të lartë i të hyrave me vete sjellë detyrimin për anulimin e projekteve të planifikuara, për shkak të mungesës së mjeteve financiare.