Në organizim të Drejtorisë së Arsimit në Prizren, nga 16 – 23 shtator do të mbahet manifestimi tradicional “Java Remzi Ademaj – Shtigjeve të Lirisë”, me ç’rast do të ketë gara të ndryshme edukative, letrare, sportive dhe kulturore me nxënësit e shkollave të komunës së Prizrenit.
“Në këtë manifestim, që do të organizohet nën patronazhin e kryetarit të Komunës së Prizrenit, do të garojnë nxënësit nga shkollat e Prizrenit në nëntë disiplina të ndryshme”, thuhet në një njoftim të Komunës së Prizrenit.
Aktiviteti do të nisë në ora 10:00 me marshin e nxënësve duke filluar nga “Shatërvani” në drejtim të Lidhjes së Prizrenit, ku do të bëhet hapja zyrtare e këtij edicioni. “Java…” do të vazhdojë gjatë gjithë javës me gara në fusha të ndryshme.
Organizmi i “Javës Remzi Ademaj” bëhet për të nderuar veprimtarin e hershëm të atdheut dhe një ndër figurat emblematike të luftës së UÇK-së, ndërsa gjithashtu synohet të nxitet konkurrenca ndërmjet nxënësve.
Në këtë organizim marrin pjesë mbi 1200 nxënës të rreth 40 shkollave të ndryshme të Komunës së Prizrenit.