Një grua në Prizren kishte raportuar të shtunën në polici se tre djemtë e saj të mitur kishin dalë nga shtëpia dhe se nuk di gjë për vendndodhjen e tyre.
Lidhur me këtë, ka folur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili tha se të miturit janë gjetur në Prishtinë.
“Pas një pune hetimore është arritur të identifikohet vendndodhja e tyre, të cilët janë gjetur në afërsi të stacionit të autobusëve në Prishtinë, pastaj të njëjtit janë shoqëruar në Prizren dhe janë intervistuar në praninë e prindit që e ka raportuar rastin”, tha Gashi për KlanKosovaFM.
“Gjendja e tyre shëndetësore ka qenë mjaft e mirë, mirëpo gjatë intervistimit ata kanë deklaruar se ditën kur i ka raportuar prindi si persona të zhdukur, të njëjtit kanë kryer një vepër penale, pra e kanë vjedhur një veturë dhe me të kanë udhëtuar për në Prishtinë”, shtoi ai.
Gashi po ashtu sqaroi se rasti i veturës është i raportuar si rast vjedhjeje në stacionin policor në Prizren.
Të miturit pas kësaj janë kthyer në shtëpi.