Në Klinikën Infektive të QKUK-së është shtrirë një person me origjinë nga Kina, i cili po dyshohet se është prekur nga Coronavirusi, raporton Ekonomia Online.
Në këtë klinikë po trajtohen edhe 2 persona të tjerë, në mesin e tyre edhe një femër e moshës 27 vjeçare i ka thënë Ekonomia Online, Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK-së.
“Një shtetas kinez 28 vjeçar, një femër 27 vjeçare studente në afërsi të Romës në Piaqenza dhe një burrë 39 vjeçar i punësuar në Milano, u janë marr mostrat dhe pritet rezultati i analizave”, tha Fazliu.
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani tha se nuk do të ketë deklarata për medie vetëm komunikatë zyrtare.
“Tani për momentin është duke u konsultuar me drejtoreshën e Infektives lidhur me rastet e fundit të dyshuara për Coronavirus. Rezultatet do të vonohen pasi që do të ritestohen disa herë”.
Infektologu, Valbon Krasniqi përmes telefonit i tha EO se do të dalin me komunikatë për medie lidhur m e të gjitha detaje për rastet e dyshuara.
Edhe në ditët e kaluara ka pasur raste të dyshimta në Klinikën Infektive të cilat pas testimeve në laboratorin e Institutit Kombëtar kanë rezultuar negativ dhe janë liruar nga spitali.