20 persona nga komuna e Rahovecit janë konfirmuar deri më tani me COVID-19. Rasti i fundit në këtë komunë u shënua mbrëmjen e së mërkurës. Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka treguar për Express se sot janë marrë 10 mostra të familjarëve të të infektuarve
Një person rreth moshës 39-vjeçare nga komuna e Rahovecit u konfirmua me COVID-19 mbrëmjen e së mërkurës.
Ai virusin e mori nga kontakti me babain, i cili po qëndron i shtrirë në Klinikën Infektive të QKUK’së.
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka dhënë detaje për këtë rast.
“Rasti që u konfirmua mbrëmë në komunën tonë është rast kontakti, përcjellës i prindit të vet i cili ka qenë në hemodializë dhe tani është në Klinikën Infektive pasi ka rezultuar pozitiv me COVID-19. Prindi është i moshës rreth 77-vjeçare, nuk është në oksigjeno-terapi, por është i paralizuar”, ka thënë Latifi.
Latifi tha se sot janë marrë mostrat e 10 personave të dy familjeve që kanë pasur rastet e fundit me COVID-19 në komunën e Rahovecit.
“10 mostra janë marrë sot. Janë raste kontakti nga familja e këtij që ka dalë pozitiv mbrëmë dhe një pacienti tjetër në hemodializë që është konfirmuar parmbrëmë me COVID-19”, ka thënë Latifi.
Ai shtoi se nga 20 personat e prekur me koronavirus në komunën e Rahovecit, deri mtë tani është shëruar vetëm 1 prej tyre.
Po ashtu, Latifi bëri të ditur se qytetarët po i respektojnë masat e vëna nga Qeveria e Kosovës, për kufizim të lëvizjes dhe qëndrim në shtëpi.
Latifi tha se gjendja me furnizime me materiale shpenzuese në Qendrat e Mjekësisë Familjare në Rahovec është e mirë, por tha se në vazhdimësi ka nevojë për furnizime.
Ndërkohë, numri i personave të prekur me COVID-19 në Kosovë tashmë ka shkuar në 799.
Nga ta janë shëruar 249, ndërkaq kanë vdekur 22 persona.
Bazuar në masat e reja të vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.