Menaxhimi i suksesshëm i pandemisë, ruajtja e buxhetit, si dhe rikthimi i marrëdhënieve të mira me shtetet mike të vendit, janë vetëm disa nga pikat të cilat sipas kreut të Qeverisë, Avdullah Hotit, përbëjnë sukses të ekzekutivit gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes.
“Në këto 100 ditë vlerësoj që kemi punuar shumë në mbrojtjen e lirisë qytetare, të rendit demokratik dhe lirisë së shprehur pa qenë të linquar, kemi kthyer normalitetin dhe sigurinë në jetën e qytetarëve dhe kemi vendosur miqësi të ndërtuara me dekada, të cilat ishin dëmtuar. Prioritetet tona kanë qenë lufta kundër pandemisë, rimëkëmbja ekonomike, forcimi i shtetit, avancimi i demokracisë, luftimi i dukurive negative veçmas krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha kryeministri Hoti, raporton KOHA.
Por partitë opozitare, LVV-ja e PDK-ja e akuzuan Hotin për keqqeverisje, për çka edhe kërkuan dorëheqjen e tij.
“Krahasojeni vetë zotëri Hotin me zotëri Kurtin, krahasojeni vetë Melizën me Konjufcën, krahasojeni ministren e Drejtësisë Haxhiu, me ministrin e sotëm Selimi, krahasojeni Rozetën me Kuçin e mbi të gjitha krahasojeni Vitinë me Zemajn. Zoti Hoti vetëm një shërbim mund të ja bëni Kosovës në këtë 100 ditësh, të qoheni një ditë mëngjesi dhe të jepni dorëheqje. Zgjedhjet janë të domosdoshme”, tha Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Kur e dëgjova Hotin nuk e dita a është duke folur për Kosovën apo për ndonjë vend tjetër. Në raportin tuaj që ne deputetët kemi na jeni njoftuar për sulmet e zogjve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës në faqe 23. Ky raport është krejt irrelevant dhe i padobishëm” , tha Abelard Tahiri nga PDK-ja.
Kritikat s’i pëlqyen ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili gjatë fjalimit të deputetit të Vetëvendosjes, Fitim Uka, e quajti atë “rrenc”.
“Rrenc…po rren, gënjeshtar”, tha ministri Zemaj.
Kryeministri Hoti gjatë seancës së sotme ka lëshuar sallën disa herë kur merrnin fjalën deputetët e Vetëvendosjes.