Në Sarajevë, Erdogani u interesua për gylenistët

Prishtinë | 10 Kor 2019 | 08:33 | Nga Ekonomia Online

Kryesuesi i presidencës rotative të Bosnjë- Hercegovinës, Millorad Dodik, ka deklaruar të martën se presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, i ka kërkuar vendit të tij që t’i dorëzojë pjesëtarët e organizatës së drejtuar prej imamit me seli në SHBA, Fethullah Gulen, të cilët janë me qëndrim në Bosnjë, ka raportuar agjencia turke e lajmeve “Anadolu”.

Dodik ka thënë se Erdogan e ka ngritur këtë çështje gjatë takimit të tyre të së hënës vonë në Jahorinë, ku po zhvillohet Samiti i Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).

“Kemi biseduar lidhur me këtë temë, Turqia ka disa kërkesa të caktuara dhe kjo nuk është një temë që është aktualizuar vetëm së fundi. Kjo temë u diskutua edhe kur ishim në Ankara. Turqia e ka një qasje lidhur me grusht shtetin, i cili ka ndodhur aty më herët, dhe synon që përmes institucioneve gjyqësore, natyrisht, ta zgjidhë këtë çështje”, ka thënë Dodik para gazetarëve, pas samitit të së martës, përcjell sot Koha Ditore.

Ai ka shtuar me këtë rast se institucionet turke kanë evidentuar se në Bosnjë ka njerëz dhe institucione që mbështesin lëvizjen e Gulenit, të cilën Ankaraja e akuzon për orkestrimin e puçit të dështuar të korrikut të 2016-s.

“Unë dua të them se këta njerëz kryesisht ndodhen në territorin e Federatës dhe se kjo është punë e organeve dhe procedurave federale. Andaj mendoj se kjo gjë është bukur e qartë për presidentin Erdogan”, ka thënë Dodik.

Revista vendore “Zurnal” ka raportuar se autoritetet turke muajin e shkuar ua kanë dorëzuar autoriteteve boshnjake një listë të shtetasve turq që jetojnë në Bosnjë, dhe të cilëve u janë anuluar pasaportat. Në këtë listë, sipas gazetës, janë kryesisht afaristë që bëjnë biznes në Bosnjë, mes të cilëve edhe ata që gjatë periudhës së fundit kanë qenë të angazhuar në kuadër të Universitetit Burch në Sarajevë, të cilin Qeveria e Erdoganit e konsideron si pjesë të organizatës së Gulenit.

Ministria boshnjake e Sigurisë ka konfirmuar për “Zurnal” se aktualisht Qeverisë i është dorëzuar lista me emrat e tetë të të ashtuquajturve “gylenistë”, por ka njoftuar se vendimi për deportimet e mundshme nuk është marrë ende.

Presidenti turk ka mbërritur në Sarajevë të hënën, në kuadër të Samitit të SEECP-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme