Pavarësisht akuzave serioze për spiunazh dhe trafik të teknologjisë ushtarake, Serbia vendosi më 21 maj 2025 të zëvendësojë paraburgimin me arrest shtëpiak për shtetasin kinez Cuj Guanghaj dhe bashkëpunëtorin e tij, britanikun Xhon Miler, të kërkuar nga SHBA. Vendimi u mor vetëm 27 ditë pas arrestimit të tyre në Beograd, duke injoruar paralajmërimet për rrezikun e arratisjes.
Të dy personat janë zhdukur nga adresat ku po qëndronin nën mbikëqyrje elektronike, pasi hoqën pajisjet që në teori duhej të lëshonin alarm në rast ndërhyrjeje. Sipas përgjigjes së Gjykatës së Lartë në Beograd për BIRN, alarmi është regjistruar, por autoritetet kanë mbërritur pasi të dy kishin tashmë ikur pa lënë gjurmë.
Rasti ka ngritur dyshime serioze mbi funksionimin e sistemit të mbikëqyrjes, koordinimin institucional dhe nëse arratisja është ndihmuar nga brenda apo jashtë vendit. Gjykata ka lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar, ndërsa ende nuk dihet nëse të dy të arratisurit ndodhen ende në territorin e Serbisë.
“Sistemet e mbikëqyrjes elektronike janë të dizajnuara që të lëshojnë alarm të menjëhershëm sapo dikush tenton të heqë pajisjen. Pyetjet që ngrihen tani janë: Sa kohë ka kaluar mes alarmit dhe mbërritjes së ekipeve të kontrollit? Si arritën ata të zhdukeshin pa lënë gjurmë? A janë ende në Serbi apo kanë kaluar kufirin? Dhe mbi të gjitha – a ka pasur ndihmë nga struktura të tjera?”
Kinezi Cuj Guanghaj dhe britaniku Xhon Miler –kërkohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës nën akuza për spiunazh dhe kontrabandë të teknologjisë ushtarake.
Cuj Guanghaj, i njohur edhe si “Agjenti Xhek” nga Kina, dhe britaniku Miler, ishin arrestuar më 24 prill në hotelin “Hyatt” në Beograd, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga SHBA. Ata akuzohen për ndjekjen dhe përndjekjen e artistit kinez Hui Bo, i cili jeton në SHBA dhe njihet për skulpturat satirike ndaj presidentit kinez Xi Jinping dhe bashkëshortes së tij. Më pas, akuzat ndaj tyre janë zgjeruar edhe me përpjekje për kontrabandë të teknologjisë ushtarake amerikane drejt Kinës – vepra për të cilat në SHBA rrezikojnë deri në 20 vjet burg.
Data e saktë e arratisjes nuk bëhet e ditur, por më 15 gusht 2025, Gjykata e Lartë në Beograd vendosi t’u heqë atyre masën e arrestit shtëpiak dhe të caktojë paraburgim, duke urdhëruar njëkohësisht shpalljen në kërkim. “Janë dhënë udhëzimet për lëshimin e urdhër-arrestit, i cili do të ekzekutohet nga Drejtoria për Kërkime në Policinë e Beogradit,” thuhet në vendimin e gjykatës.
Pavarësisht akuzave të rënda dhe faktit që bëhej fjalë për shtetas të huaj pa vendbanim në Serbi, vetëm 27 ditë pas arrestimit, më 21 maj 2025, atyre u ishte zëvendësuar paraburgimi me arrest shtëpiak dhe mbikëqyrje elektronike – vendim që disa juristë e kishin cilësuar si të pazakontë dhe me rrezik të lartë arratisjeje. Avokati i tyre, Goran Petronijeviq, i cili njeherit eshte avokat i terroristit Millan Radoiqiq, kishte deklaruar se “janë njerëz seriozë” dhe “nuk janë kriminelë”.
Sipas gazetës britanike Mail on Sunday, e cila kishte raportuar më herët për këtë çështje, Cuj Guanghaj është një oficer i lartë i shërbimeve inteligjente kineze dhe njeri i afërt i presidentit Xi Jinping. Gazeta kishte paralajmëruar që në qershor se “ekzistojnë frikëra se agjentë kinezë mund të ndërhyjnë për ta ndihmuar arratisjen e tij”.
Megjithëse teorikisht nuk është e pamundur të ndodhë arratisja nga arresti shtëpiak edhe nën mbikëqyrje elektronike, rasti i dy shtetasve të huaj që janë zhdukur pothuajse njëkohësisht nga dy adresa të ndryshme, pa lënë gjurmë, ngre dyshime serioze nëse kanë pasur ndihmë nga jashtë.