Kompania farmaceutike “Pfizer” ka filluar ta testojë në njerëz vaksinën eksperimentale kundër koronavirusit. Ky testim po bëhet në bashkëpunim me kompaninë gjermane “BioNTech SE”.
Këto dy kompani thanë se nëse vaksina dëshmohet e sigurt dhe efektive gjatë testimit, mund të jetë e gatshme për t’u shpërndarë në Shtetet e Bashkuara në fund të këtij viti, duke e shkurtuar për disa vjet rrugën e zakonshme të zhvillimit të një vaksine.
Vaksina që po testohet në njerëz është e mbështetur në teknologjinë me acid ribonukleik dhe mund të jetë në mesin e vaksinave të para që do të përdoren kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara, ku deri më tani kanë vdekur rreth 68 mijë pacientë.
Kompania “Pfizer” u bë vonë pjesë e garës për prodhimin e një vaksine, por shpreson se me testimin e saj në 360 vullnetarë të shëndoshë do të përparojë dhe do t’i ketë të gatshme 20 milionë doza deri në fund të vitit, nëse testimi jep rezultate të sigurta.
Tash për tash nuk ekziston ndonjë trajtim apo vaksinë e miratuar kundër koronavirusit të ri, ndonëse disa ilaçe po përdoren përmes autorizimit për përdorim emergjent.
Hulumtimi amerikan është pjesë e një programi më të gjerë botëror, i cili tashmë është në proces të zhvillimit në Gjermani, ku e ka selinë kompania “BioNTech”. Në Gjermani, testimi ka filluar muajin e kaluar.
Edhe kompania “Moderna Inc” është duke përdorur teknologji të ngjashme për vaksinën që po e teston në bashkëpunim me qeverinë amerikane, shkruan “Daily Mail”, transmeton Gazeta Express.
Kompania “Pfizer” tha javën e kaluar se shpreson të marrë autorizim emergjent nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e Shteteve të Bashkuara deri në tetor dhe do të mund t’i shpërndante 20 milionë doza të vaksinës deri në fund të 2020-ës, me synimin që të prodhojë qindra miliona doza të tjera vitin e ardhshëm.