Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë në ceremoninë e vendosjes së bustit të heroit Azem Bejtë Galica, në oborrin e shkollës fillore të fshatit Galicë të Vushtrrisë, e cila mban emrin e këtij tribuni popullor.
Në fjalën e tij para nxënësve dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle, si dhe banorëve të fshatit Galicë e të fshatrave përreth, kryeparlamentari Veseli vlerësoi lart figurën markante të luftëtarit dhe udhëheqësit të shquar të rezistencës shqiptare kundër pushtuesve të ndryshëm, Azem Galicës, i cili, ndër dekada, u bë frymëzim për gjenerata dhe breza luftëtarësh e veprimtarësh të çështjes kombëtare.
“Kemi ardhur sot këtu për zbulimin e bustit të Azem Bejtë Galicës, të cilin unë, sikurse shumë bashkëluftëtarë, e kam pasur hero. Azem Galica ka dhënë shumë për vendin dhe emri i tij nuk duhet harruar asnjëherë”, theksoi kryeparlamentari Veseli, ndërsa paralajmëroi se Azem Bejtë Galica shumë shpejt do të jetë me shtatore në Vushtrri, Mitrovicë dhe Prishtinë.
“Kjo shkollë mban një emër të madh, emrin e Azem Bejtes, njërit prej themeluesve të Lëvizjes Sonë Kombëtare për çlirimin e Kosovës. Azem Bejta flijoj gjithçka që ne të jemi të lirë në tokën tonë, t’i kemi shkollat tona, të jetojmë me dinjitet si të gjithë popujt e lirë. Sot ne ndihemi krenar dhe qëndrojmë ballëhapur para bustit të tij, sepse amaneti i tij është përmbushur”, tha Veseli.
Duke iu drejtuar nxënësve, kryetari i Kuvendit shtoi se ata nuk duhet të harrojnë asnjëherë prej nga vijnë dhe cilit popull i takojnë.
“Përgatituni që e ardhmja të jetë më e mirë, por punoni edhe për të sotmen, ndërsa të djeshmen mos e harroni. Duajeni vendin e juaj, duke punuar dhe duke qenë çdo sekondë në shërbim të tij”, tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Veseli: Kërkojmë lirimin e Nehat Thaçit pa kushte
Kryeparlamentari Kadri Veseli ka kërkuar lirimin pa kushte të eprorit të Policisë së Kosovës Nehat Thacit.
“Kërkojmë që sa më shpejtë pa kurrfarë kushtesh dhe pa e dëmtuar eprorin e Policisë dhe luftëtarin e UÇK-së ta lirojnë dhe ta kthejnë tek familja e vet, sepse është baba i 3 fëmijëve dhe të cilët njëherit janë tepër të shqetësuar për fatin e tij. Është i shqetësuar edhe Kuvendi dhe të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Veseli.
Ai i bëri komentet me rastin e vendosjes së bustit të heroit kombëtar, Azem Bejtë Galica, në shkollën e fshatit të lindjes së heroit kombëtar.