Të humbasësh pyjet do të thotë të humbasësh pak nga pak jetën dhe Shqipëria ka humbur rreth 60 përqind të tyre, një shqetësim të cilin e ngre në studimet e tij, Selman Mëziu.
“Janë shkatërruar 60 përqind e pyjeve në Lurë, Theth, Martanesh e deri në jug të vendit”, thotë studiuesi Mëziu duke shtuar se këtë shifër e mbështet nga statistikat zyrtare, burimet private dhe bisedat me inxhinierët.
Një ligj serioz për pyjet, sipas Meziut, do të ishte edhe zgjidhja për ngërçin e krijuar, duke renditur edhe tre hapa që duhen ndërmarrë për të mbërritur në shpëtimin e pyjeve.
Sipas Mëziut politika është problemi kryesor, pasi sipas tij, me administrimin e pyjeve nuk merren profesionistët.
“Duhet ndërtuar një ligj serioz në bashkëpunim me ndërkombëtarët, ndarja e pyjeve duhet bërë në mënyrë kadastrale, sepse ne nuk dimë kush i ka pyjet: shteti, shoqatat etj. Rimëkëmbja e pyjeve të sëmura bëhet duke patur në krye specialistë dhe inxhinierë të fushës”, thotë ai.
Mëziu shton se dikur Shqipëria numëronte 1 milion e 450 mijë hektarë pyje, nga të cilat kanë mbetur vetëm 500 mijë./ Tch