Policia e Shqipërisë ka arrestuar në Korçë, përgjegjësin teknik dhe manovratorin e firmës së ndërtimit, që kryente punime në pallatin në të cilin u aksidentuan gjatë punës dy punëtorë, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen.
Sipas policisë, aksidenti ka ndodhur dje ku gjeti vdekjen një punëtor, ndërsa tjetri ndodhet në Spital jashtë rrezikut për jetën.
Policia në Korçë thotë se ka arrestuar në flagrancë shtetasit F.P., 67 vjeç, banues në Korçë me detyrë përgjegjës teknik i firmës së ndërtimit dhe A.Z., 41 vjeç, me detyrë manovrator.
“Këta shtetas dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi gjatë procesit të hedhjes së betonit në objekt, është dëmtuar një segment metalik i presës, i cili ka goditur në kokë duke i shkaktuar vdekjen shtetasit E.J., 36 vjeç, si dhe ka dëmtuar jashtë rrezikut për jetën shtetasin P.F., 59 vjeç, të dy banues në Korçë”, thuhet në njoftim.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.