Në debatin mes Ramush Haradinaj dhe Edi Ramës, nuk ka ndonjë sekret që mundon palët, pasi politika operon me mjete publike dhe jo me teori konspiracioni. E gjithë kjo histori që maskohet si ndonjë betejë publike për Kosovën, në fakt është një ridimensionim i luftës politike në Shqipëri, me ndihmën e një ushtari nga Kosova.
Ajo që po ndodh prej disa muajsh, pas dështimit të revolucionit të Qershorit, dhe pas paralajmërimeve të Ilir Metës se shtyu zgjedhjet e 30 qershorit, pasi ushtarë të Haradinajt do vinin në ndihmë të revolucionit për të djegur Shqipërinë, është thjeshtë përdorimi i “Komandant Haradinajt” për të vazhduar “revolucionin” me mjete të tjera.
Ideja se tani Edi Rama mund të dëmtohet si tradhtar i Kosovës, meqë nuk u dëmtua dot si kryeministër i Shqipërisë, është e gjitha ajo çfarë ndodh. Dhe kjo nuk është ndonjë dramë e madhe.
E vetmja gjë e hidhur në këtë histori, është që për herë të parë, prej vitit 1990, një politikan i Kosovës po përdoret për luftë të brendshme politike në Shqipëri, duke shërbyer si një katalizator i ndarjes mes Shqipërisë dhe Kosovës, për nevoja politike të Shqipërisë.
Asnjë politikan i Kosovës dhe Shqipërisë, prej vitit 1990, nuk ka prodhuar kaq shumë ndarje mes Shqipërisë e Kosovës, sa Ramush Haradinaj, me keqpërdorimin që i bëjnë dy figura politike të dështuara në Shqipëri, Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Dhe këtë antipati, ai nuk e ka prodhuar as me shfaqjen e tij publike me mangësi fonetike, gjuhësore dhe kulturore, as me etiketimet që ai ka në Kosovë si politikan i haraçeve dhe vrasjeve politike mes shqiptarëve, por me imazhin e fundit, si njeri i keqpërdorur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Fakti që Edi Rama është aleat me Hashim Thaçin, për shkak të pozicionit të tyre shtetëror në të dy vendet, por dhe afërsisë politike, nuk është arsye që ata të jenë përgjegjës për veprimet e njëri- tjetrit.
Hashim Thaçi nuk është përgjegjës pse u mboll drogë në Shqipëri në vitin 2016, apo pse Edi Rama nuk mori dot hapjen e negociatave më 2019.
Po ashtu Edi Rama nuk mund të jetë përgjegjës për sukseset apo dështimet e Hashim Thaçit si president në politikën e jashtme dhe të brendshme në Kosovë.
Por së paku Hashim Thaçi dhe Edi Rama, por dhe Mustafa e të tjerë, kanë ruajtur etikën në mos ndërhyrjen në jetën politike respektive, në Kosovë dhe Shqipëri.
Gjesti i Ramush Haradinajt, që është shndërruar në një mercenar politik të Ilir Metës dhe Sali Berishës, me shpresë se do t’i ringrejë dhe një herë ata politikisht, vlen vetëm për ta falenderuar Haradinajn si njeri besnik ndaj miqve të tij, por nuk i bën punë në Shqipëri.
Përpjekja për t’u përdorur politikisht nga Ilir Meta dhe Sali Berisha në krijimin e portretit të një “tradhtari” me fytyrën e Edi Ramës, kam frikë se e bën më popullor Edi Ramën në Shqipëri, jo për inat të Kosovës, por për shkak të Ramushit si mercenar i Metës dhe Berishës
Ndaj nëse Ramush Haradinaj po i bën ndonjëherë ndonjë shërbim të keq ndarjes Shqipëri- Kosovë, është pikërisht përdorimi prej tij, nga ajo pjesë e politikës shqiptare që ka dështuar të votohet në këtë vend.
Në Shqipëri nuk është mëkat të jesh aleat me Sali Berishën dhe Ilir Metën, ashtu siç nuk është ndonjë fat i madh që në Kosovë të jesh aleat me Edi Ramën.
Kosova nuk ndikon kurrë në zgjedhjet politike në Shqipëri, përveç atyre qytetarëve të Kosovës që kanë marrë pasaportë shqiptare, si Haradinaj, dhe mund të votojnë fizikisht.
Ajo që është e ndaluar dhe nuk ka ndodhur deri më sot, është që në Shqipëri, ndonjë politikan i Kosovës, të keqpërdoret, siç po ndodh me Ramush Haradinaj nga çifti Meta-Berisha, si kamikaz për të nxitur përçarjen kombëtare, për një interes të dështuar politik të tyre.
“Heroizmat” e Haradinajt kundër planit amerikan, koinçidojnë me armiqësinë e çiftit Meta- Berisha me SHBA këto kohë.
Egërsia e tij ndaj Edi Ramës si mbështetës i projektit Perëndimor të Minishengenit, që stimulon lëvizjen e lirë në rajon, është në përpjestim të zhdrejtë me përshëndetjen që ai i bën linjës së avionit Beograd- Prishtinë dhe sot linjës së trenit Beograd- Prishtinë.
Biles kjo e bën qesharak debatin, pasi duket sikur këta armiqtë e Minishengenit në Kosovë, janë xhelozë që Serbia të mos hapet me vendet e tjera në rajon, por ta kenë vetëm për vete.
Kjo tregon sa fallco është “patriotizmi” i Haradinajt dhe thjesht e identifikon atë në Shqipëri si ushtar të Ilir Metës dhe Sali Berishës, jo si politikan të Kosovës.
Nuk di sa fiton vota duke qenë ushtar i tyre në Kosovë, por këtu, me këtë lloj rreshtimi, është e sigurtë që i shton vota Edi Ramës, edhe pse është në listë fizikisht si votues, në kompleksin FAFA në Adriatik.