“Numri i turistëve që vijnë në Shqipëri është rritur dhe është rritur jo vetëm në sezonin turistik veror, ku rritja ishte 20 përqind, por është rritur edhe në përgjithësi”.
Shqipëria për herë të parë do të ketë udhërrëfyes të certifikuar në sektorin e turizmit. Sot në Tiranë është organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Shqipërisë (MZHETTS), ceremonia e certifikimit të këtyre udhërrëfyesve, raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë aktivitet merrte pjesë edhe ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, e cila gjatë fjalës së saj u shpreh se Shqipëria ka mundësi që këtë lloj shërbimi ta standardizojë.
“Numri i turistëve që vijnë në Shqipëri është rritur dhe është rritur jo vetëm në sezonin turistik veror, ku rritja ishte 20 përqind, por është rritur edhe në përgjithësi. Numri i turistëve që vizituan Shqipërinë vitin e kaluar ishte 15 përqind më shumë se në vitin 2015.
Kjo është meritë e të gjithë atyre që punojnë në industrinë e mikpritjes. Të gjithë ne bëjmë përpjekje për të tërhequr më shumë turistë të huaj, duke thënë që Shqipëria është një vend që ofron mundësia për ta zbuluar. Kemi përpara një sfidë shumë të madhe për ta ngritur dhe sistemuar dhe më mirë sektorin”, u shpreh Ekonomi.
Sipas saj Shqipëria ka nevojë që të ketë gjithmonë partnerë ndërkombëtar për të zhvilluar guidat turistike, por edhe për partnerët vendas.
Në këtë aktivitet janë certifikuar 150 udhërrëfyes për shërbimet turistike. Guidat fituese janë seleksionuar pas një testimi të kryer nga disa komisione të ngritura nga MZHETTS, ku janë certifikuar në disa kategori.