Numri i qytetarëve kosovarë që po marrin pjesë në luftë në Siri ka shkuar në 314, të vdekur janë deklaruar 57 qytetarë. Kështu ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
“Sipas të dhënave 314 qytetarë janë në Siri, 40 qytetarë ka arritur t’i ndalë Policia para se të shkojnë atje. Sipas shënimeve tona, 70 luftëtarë aktivë nga Kosova janë në Siri dhe Irak. Po ashtu janë 38 individë të gjinisë femërore dhe 27 fëmijë, ndërsa 57 qytetarë të Kosovës janë deklaruar të vdekur. Mosha mesatare e personave janë 18-27 vjet, një numër i të rinjve janë të mitur. Policia e Kosovës ka iniciuar hetime për 199 personave, janë arrestuar 102 persona dhe në mesin e tyre deri tani janë dënuar 34 persona”, ka thënë Hyseni.
Edhe përkundër kësaj, ministri Hyseni ka thënë se Republika e Kosovës ka shënuar progres të ndjeshëm në aspektin e ekstremizmit dhe radikalizmit, raporton Ekonomia Online.
“Sot kemi një situatë që flet për një gjendje në kontroll për aq sa është e mundshme për çështjen e fenomenit të radikalizmit dhe ekstremizmit. Ekstremizmi është fenomen shumë tinëzar, nuk dihet se si dhe ku do të godas”, ka thënë Hyseni.
Sa i përket gjendjes së sigurisë, ai ka theksuar se në fusha të caktuara është shumë e mirë. Ai ka folur edhe për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit kanë ndërmarrë aksione të shumta të ndërhyrjes kundër krimit të organizuar”, ka thënë Hyseni.
Po ashtu, ai iu përgjigj edhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, paraqiti rastin për protestat e 28 nëntorit kur policia ka hyrë me dhunë në selinë e Vetëvendosjes.
“Kush ishte urdhëruesi i tyre?”, i drejtua Selimi ministrit, duke shtuar se atë që kanë bërë policia ka qenë shkelje e procedurave ligjore.
Pyetjes së deputetit Selimi iu përgjigj shkurt ministri, duke thënë se Inspektorati i Policisë ka trajtuar 87 ankesa ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe se policia ka kryer punën e tij.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Naim Hoxha, foli për protestat e 28 nëntorit, i cili tha se në atë periudhë kemi pasur masa të ngritura të sigurisë në lidhje me parandalimin e akteve terroriste.
“Në tjetrën anë kemi pasur urdhër gjyqësor për zbatimin e arrestit të disa personave. Jemi munduar që në të gjitha mënyrat tona që kemi të ofrojmë shërbimet e nevojshme për të gjithë pjesëmarrësit”, theksoi ai.