Spitalet rajonale në Kosovë gjatë këtij viti disa herë janë ballafaquar me mungesë të dyoksidit të karbonit (mbushet barku me gaz, në mënyrë që të shihet më mirë). Ky gaz është i nevojshëm për kryerjen e operacioneve të ndryshme në Kirurgji, në Gjinekologji e në reparte të tjera, shkruan gazeta Zëri.
Spitali i Pejës tashmë për më shumë se tre muaj nuk është furnizuar me gazin mjekues, dyoksidin e karbonit (CO2), i cili është i nevojshëm për kryerjen e operacioneve të ndryshme. Zyrtari për informim në këtë spital, Naim Sahiti, ka thënë për “Zërin” se para tre muajve ka qenë hera e fundit kur janë furnizuar me CO2. E si furnizim në atë kohë ky spital ka marrë vetëm një bocë me dyoksid të karbonit.
“Sa i përket furnizimit me gazra mjekuese, jemi rregullisht të furnizuar me O2 (oksigjen), si dhe me N2O( gaz oksidol), por CO2 nuk kemi. Furnizimi i fundit me ketë gaz mjekues (1 bocë) ka qenë para 3 muajve. Furnizim të rregullt nuk ka”, ka thënë ai. Derisa ky gaz vlerësohet të jetë i nevojshëm për operacionet që kryhen në spitale, Sahiti ka thënë se nuk ka kontratë me operatorë për furnizim me këtë gaz.
“Ne bëjmë kërkesa për furnizim sepse e kemi të nevojshëm këtë gaz, por përgjigjet në kërkesat tona për furnizim janë se nuk ka kontratë me operatorë për furnizim me këtë gaz. Një operator thuhet se sjell falas këtë gaz, çfarë ka ndodhur një herë tek ne, por furnizim të rregullt nuk ka”, ka thënë ai. Sipas tij, në rastet kur ka ndonjë mungesë të produkteve të domosdoshme ata intervenojnë me buxhetin e Spitalit.
Përveç Spitalit të Pejës, edhe spitalet tjera rajonale gjatë këtij viti e po ashtu edhe gjatë vitit të kaluar janë ballafaquar me mungesë të dyoksidit të karbonit. Mungesë të furnizimit ka pasur disa herë edhe Spitali i Prizrenit, nga i cili kanë deklaruar se tashmë janë furnizuar me CO2.