Në Suharekë nuk ka raste me Coronavirus, që prej 10 ditësh

Prishtinë | 23 Pri 2020 | 17:46 | Nga Ekonomia Online

Fshati Semetisht në Komunën e Suharekës sot ka hyrë në ditën e dhjetë duke mos shënuar asnjë rast pozitiv me koronavirus, ani pse ky fshat ishte vatra e infeksionit në Suharekë, ashtu edhe siç ishte shpallur nga Ministria e Shëndetësisë, shkruan Gazeta Metro.

Deri më tani në Suharekë janë shënuar 33 raste pozitive me koronavirus dhe është njëra ndër komunat që ka më së shumti raste me COVID-19.

Fshati Semetisht ishte fshati më i prekur nga koronavirusi, nga ku edhe u përhap në fshatrat tjera si Vraniq, Bukosh dhe Krushicë e poshtme.

Më 13 prill në Semetisht ishin shënuar 7 raste pozitive me COVID-19, nga ku më pas edhe një person kishte vdekur si pasojë e infeksionit.

Mirëpo që nga ajo ditë e deri më sot, po bëhen dhjetë ditë që kur në këtë fshat nuk është shënuar më asnjë rast me koronavirus.

Ndërkaq me 12 prill Suhareka është futur në karantinë me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, ku edhe më pas u bë e ditur se fshatrat Semetisht e Bllacë janë shpallur vatra të infeksionit.

Kujtojmë që deri më tani në Kosovë janë shënuar 630 raste pozitive me koronavirus, 138 janë shëruar dhe 19 prej tyre kanë vdekur. 

Të ngjashme