24 frymë mungojnë në Thumanë pas tërmetit të 26 nëntorit. Lëkundjet e shtatorit u kishin ngjallur frikën, ndërsa goditja e fundit gjysmë minutëshe u mori jetën.
“Vëllezërit e motrat tona kanë humbur E jam tmerruar duke i parë njerëzit nën rrënoja që kërkonin ndihmë. …Si u bë kjo punë kështu për ne, kemi dalë atë natë e këtu kemi ndenjur deri sa ka gdhirë dita. O zoot! Vdiqën e mbaruan gjithë ata rob”.
Gjysh Veseli e njeh mjaft mirë Thumanën, me ato që babai i tij i ka treguar por edhe çka jetuar vetë në 77 vite. E kujton se toka ku u shembën pallatet,në fëmijërinë e tij ishte pa ndërtime.
“Kur shkonim të vegjël e shkonim në shkollë nuk kalonim andej se mbyteshim në ujë. Kur erdhi sistemi komunist, u bënë kanalizime dhe u kullua toka këtu e u bënë ato pallatet dy katëshe rreth viteve 60. Që sollën tragjedinë e jashtëzakonshme, kanë vdekur njerëz shumë”, shprehet Veseli.
Të tjera banesa rrezikojnë jetë. Tërmeti i fuqishëm i nëntorit ka shtrembëruar në 30 sekonda një vilë tre katshe.
“Mundi i 30 viteve në këtë shtëpi është hedhur. Por tani unë kërkoj nga shteti që të mos e shoh këtë, kjo është viktimë para syve e nga moment në moment mund të bëjë viktima… ta shemb dhe jot ë ngelet gërmadhë këtu”.
Nën rrënoja ka ende gjurmë të viktimave. Puna për heqjen e inerteve vijon. Ndërsa në çdo oborr shtëpie private në Thumanë banorët e tjerë kalojnë ditët e netët tashmë në çadra, transmeton TCh.
“Ndoshta rob i gjallë do të jetojë, e do e ndërtojë sërish shtëpinë për të hyrë brenda.. por ai që është nën tokë me djalë e me nuse e krejt…
Por ka banorë që nuk kanë marr zgjidhje, e gjendja e tyre emocionale është e rënduar.