Prokurorët po akuzohen se qëllimisht po ngritin aktakuza të dobëta, në mënyrë që të pastrohen figurat e zyrtarëve të dyshuar për vepra penale apo korruptive.
Që në procedurë fillestare Ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu, iu hodh aktakuza nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Ai po akuzohej se në kohën që ka qenë drejtor i një drejtorie në Komunën e Prishtinës kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.
Por ky nuk është ndër të paktat raste kur prokuroria hedh poshtë aktakuzat që në fazat e para të hetimit.
Në Këshillin Prokurorial të Kosovës, tregojnë se vetëm në tre muajt e parë të këtij viti janë hedhur poshtë 358 aktakuza.
Arsyet e hudhjes së aktakuzave Këshilli nuk i ka treguar.
Megjithatë drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj thotë se këto aktakuza që po hidhen kryesisht lidhen me rastet e korrupsionit.
“Në vitet 2015-2019 në baza ditore kemi pasur raste kur aktakuzat për korrupsion janë hudhur qysh në shqyrtimin e parë apo të dytë, ndërsa shumë më pak në rastet tjera penale”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Ehat Miftaraj.
Nga hudhja e aktakuzave, Miftaraj thotë se të akuzuarit kanë shumë përfitime.
“Ngritën aktakuza të dobëta me qëllim që ato raste të refuzohen në gjykata, e që më pas të vlejë parimi që për rastin e njëjtë nuk mund të gjykohesh dy herë, pra që të bëhet pastrimi i personit të akuzuar”, deklaroi më tej Ehat Miftaraj.
Në maj të këtij viti Gjykata Themelore e Prishtinës kishte liruar nga akuza për mbajtjen e kundërligjshme të gazit lotsjellës edhe ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu, si dhe ish-deputetet Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj.