Nga nesër hyjnë në fuqi masat e qeverisë në detyrë të Kosovës për kufizim të lëvizjes për të gjithë qytetarët. Sipas njoftimit, çdo person ka të drejtë vetëm 90 minuta në ditë, në orare të caktuara që të shfrytëzojë për të kryer obligimet, raporton Gazeta Express.
Një ditë para se të hyjnë në fuqi këto masa, një numër alarmant i qytetarëve janë parë në Tregun e Gjelbër në Prishtinë, duke u pajisur me furnizime.
Madje, disa prej tyre as nuk kanë pasur mjete mbrojtëse, dorëza e maska si dhe nuk kanë respektuar distancën sociale.
Redaktori i RTK’së, Xhymret Veliu e ka shpërndarë në Facebook një video që tregon gjendjen në Tregun e Gjelbër.
“Leni konferencat për media po shikoni çka po ndodh në teren.Video e realizuar sot në 10:40 në Tregun e Gjelbër në Prishtinë”, ka shkruar ai.