Në trevjetorin e qeverisjes, Kurti flet për komunitetet joshumicë: Republika është e të gjithë qytetarëve

Prishtinë | 02 Pri 2024 | 11:37 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në trevjetorin e qeverisjes ka thënë se në vitin e dytë të qeverisjes kanë krijuar fond të veçantë për komunitetet joshumicë në vlerë prej 3 milionë euro.

“Në vitin e dytë të qeverisjes sonë krijuam një Fond të veçantë për komunitetet joshumicë, në vlerën prej 3 milionë eurove. Përmes tij financuam 259 grante për fermerë, ndërmarrës të rinj dhe OJQ me qëllim nxitjen e punësimit te këto komunitete. Një vit më herët mbështetëm 123 projekte për biznese të vogla dhe ndërmarrëse nga radhët e të gjitha komuniteteve. Kurse këtë vit lansuam masën e veçantë të punësimit për 2,000 punëkërkues që jetojnë në komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Mitrovicës së Veriut. Atje tashmë kemi hapur Zyre të Punësimit dhe Zyrat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve. Te këto të fundit, së fundmi janë regjistruar mbi 50 biznese të reja.”

Ai ka thënë se komunitetet joshumicë përbëjnë 17 për qind të subvencioneve të Ministrisë së Ekonomisë për pajisje eficiente.

“Komunitetet joshumicë përbëjnë 17% të subvencioneve të Ministrisë së Ekonomisë për pajisje efiçiente, në kuadër të masave për efiçiencë të energjisë. Ato gjithashtu përbëjnë 9% të praktikantëve me pagesë përmes programit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve “Kosova Generation Unlimited”, përqindje kjo përfaqësuese në raport me tërësinë e popullatës.”

Kurti ka shkruar se Ministria për Komunitete dhe Kthim ka zbatuar 415 projekte të ndryshme përmes të cilave janë siguruar 543 vende të reja të punës.

“Në kuadër të Programit të Stabilizimit të Komuniteteve, në bashkëpunim me Bashkimin Evropian, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka zbatuar 415 projekte të ndryshme përmes së cilave janë siguruar 543 vende të reja të punës, prej tyre 328 me orar të plotë, pjesa tjetër me orar të pjesshëm. Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian gjithashtu janë ndërtuar ose rinovuar 116 shtëpi, për të siguruar kështu kthim të qëndrueshëm për komunitetet joshumicë. E përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, kemi ndarë edhe 3 milionë euro për ndërtimin dhe rinovimin e shtëpive bashkë me 4 milionë tjera gjatë viteve 2021-2024 për projekte infrastrukturore prej të cilave përfitojnë veçanërisht pjesëtarët e komuniteteve joshumicë në komuna të vendit tonë.”

Kurti ka përmendur edhe themelimin e Grupit ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.

Ai ka shtuar se të dhënat e Agjencisë së Punësimit për vitin 2023 tregojnë se numri i punëkërkuesve nga radhët e këtyre komuniteteve që kanë gjetur punë është rritur për 1/3 në krahasim me vitin 2022.

“Themeluam Grupin ndërinstitucional për Promovimin e Punësimit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve. Të dhënat e Agjencisë së Punësimit për vitin që lëmë pas tregojnë se numri i punëkërkuesve nga radhët e këtyre komuniteteve që kanë gjetur punë është rritur për 1/3 në krahasim me vitin pararendës.”

Kryeministri Kurti ka thënë se në vitin akademik 2023/2024 po mbështesin me bursa 55 studentë nga komunitetet rol, ashkali e egjiptian, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem.

“Për qendrat mësimore të fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian, në tre vjet të qeverisjes kemi ndarë gati gjysmë milion euro. Sepse për të pasur sa më shumë studentë të suksesshëm nga këto komunitete në universitete, investimi në ta dhe mbështetja për ta duhet të jetë e hershme. E për të qenë nesër profesionistë të suksesshëm, mbështetja duhet të vazhdojë edhe gjatë studimeve. Andaj, në vitin akademik 2022/2023 ndamë për herë të parë 26 bursa në vlerë 1,000 euro për studentët e vitit të parë universitar nga komunitetet rom, ashkali, egjiptian. Ndërsa në vitin akademik 2023/2024 po mbështesim me bursa 55 studentë nga këto komunitete, prej tyre 35 vajza dhe 20 djem. Ndërkohë që në kuadër të projektit “Komunat për të rinjtë”, që aktualisht është në fazën e dytë të zbatimit, kemi përkrahur 3,000 të rijn nga komunitetet joshumicë dhe OJQ në përfitimin e aftësive të buta dhe në menaxhim të projekteve.”

Kurti ka thënë se nga shkurti i vitit të kaluar kanë rifilluar procesi procesin e verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.

“Nga shkurti i vitit të kaluar kemi rifilluar procesin e verifikimit të diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut duke ofruar kështu më shumë mundësi të reja të punësimit mbajtësve të këtyre diplomave. Gjithashtu kemi krijuar bazë ligjore për fillimin e verifikimit të diplomave të shkollave të mesme që japin mësim në gjuhën serbe.”

Ai ka përmendur edhe transmetimin e mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën serbe.

“Nga viti i kaluar gjithashtu kemi filluar për herë të parë me transmetimin e drejtpërdrejtë të mbledhjeve të Qeverisë në gjuhën serbe, krahas respektimit të ligjit për përdorim të gjuhëve në komunikata për media dhe njoftimet nga Zyra e Kryeministrit. Në fund të vitit të kaluar miratuam Strategjinë për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre, dokument që u hartua dhe miratua për herë të parë e që ndër të tjera parasheh integrimin më të qëndrueshëm dhe përfaqësimin më proporcional në jetën institucionale të komuniteteve joshumicë. Republika është e të gjithë qytetarëve. Qeveria jonë është për të gjithë qytetarët.”

Të ngjashme