Dogana e Kosovës ka realizuar disa operacione kontrolli gjatë kësaj jave dhe në tri raste të ndara ka sekuestruar mallra.
Në rastin e parë, në Fushë Kosovë është kryer kontroll në një vend ku është zbuluar një hapësirë për prodhimin dhe falsifikimin e mallrave pa prejardhje të qartë.
Aty janë sekuestruar:
– 9,560 copë maica për të rritur me marka të ndryshme
– 4,300 copë etiketa letre me mbishkrimin e firmave të njohura
– Disa makina qepje.
Lidhur me rastin është njoftuar menjëherë Prokuroria. Pas intervistimit të palës së përfshirë, janë ngritur kallëzime penale për: Tregti të ndaluar, Prodhim të paautorizuar si dhe mashtrim të konsumatorëve.
Në rastin e dytë, Dogana në Mitrovicë ka kryer kontroll në një subjekt që merrej me shitjen e automjeteve të pëdorura.
Aty janë identifikuar 37 automjete të pazhdoganuara.
Automjetet janë dërguar për verifikim për të parë nëse janë të kërkuara, dhe pas përfundimit të kësaj procedure, rasti do të trajtohet më tej në koordinim me Prokurorinë.
Në rastin e tretë, Dogana ka kryer një kontroll në Gjilan ku ka zbuluar dhe sekuestruar mall pa dokumentacion.
Aty janë sekuestruar:
– 10 copë helmeta të ndryshme për motoçikleta – të reja
– 16 copë goma të ndryshme për motoçikleta – të reja
– 3 copë maska ballore për motoçikleta Yamaha Nmax – të përdorura
Ndaj palës janë inicuar procedurat kundërvajtëse.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër veprimtarive të paligjshme dhe kontrabandës, duke siguruar integritetin dhe sigurinë e tregut tonë. Për çdo informatë shtesë, ju lutemi të kontaktoni zyrën tonë të informimit ose të vizitoni faqen tonë zyrtare.”