Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së në Lipjan, Fakulteti Media dhe Komunikim organizoi një debat rreth temës: “Gazetaria e sotme në Kosovë – Sfidat dhe ballafaqimi”.
Paneli i diskutimi ishte i përbërë nga rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dekani i Fakultetit Media dhe Komunikim, Prof. Dr. Ferid Selimi, drejtoresha e portalit “KultPlus”, Ardiana Pajaziti, gazetari nga “Betimi në Drejtësi”, Betim Musliu, profesorët e UBT-së, Gjylije Rexha, Musa Sabedini, Safet Zejnullahu dhe ish-studentja e UBT-së dhe gazetarja, Albina Zeneli.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi tha se UBT ka krijuar dy elementë të rëndësishëm, një program arsimor për gazetarinë dhe një platformë të integruar brenda UBT-së, media grupin, duke nxitur kështu motivimin e studentëve, duke i ofruar një përvojë industriale para përfundimit të studimeve.
“Meqë UBT ka krijuar dy komponente të rëndësishme, pjesën e edukimit për gazetarinë dhe qasjen në media të integruara brenda UBT, natyrisht është motivimi i parë është se kemi një sjellje industriale për studentët përpara se ata t’i kryejnë studimet. Mendoj që teknologjia e ka lehtësuar shumë pjesën e reagimit dhe për këtë arsye profesioni i gazetarisë e rrit nivelin. Gazetaria është një nga profesionet më komplekse, dhe një nga sfidat më të mëdha është të ngritet niveli i përgjegjësisë dhe ndërgjegjësimit. Gazetarët ende edhe sot kanë nevojë për përmirësime, që nga aspekti ekonomik, e deri te ai politik”, u shpreh rektori Hajrizi.
Dekani i Fakulteti Media dhe Komunikim në UBT, Prof. Dr. Ferid Selimi gjatë diskutimit me të pranishmit potencoi se me zhvillimin e teknologjisë kemi të bëjmë me robotizimin e gazetarisë dhe gazetarinë hulumtuese-automatizuese e cila nuk është e verifikueshme ose mund të jetë joprofesionale.
“Aktivitetet e informimit janë: mbledhja, vlerësimi, krijimi e paraqitja. Dy të parat kanë të bëjnë me besueshmërinë e burimeve gazetareske ndërsa dy të dytat me besimin aktual të perceptimit të përdoruesve të lajmit. Prandaj gazetaria e besueshme përmes Inteligjenca Artificiale duhet të ketë parasysh si prodhuesit edhe konsumatorët. Si audiencën e rregullt ashtu edhe kundërshtarët”, tha dekani Selimi.
Drejtoresha e portalit “KultPlus”, Ardiana Pajaziti, duke treguar për përvojën e saj si themeluese e një portali dhe angazhimin e saj për gazetarinë profesionale shprehu se gazetarët nuk duhet të udhëhiqen nga opinioni i masës.
“Ndjekja e trendit të mediave për të futur në një ombrellë të vetme edhe lajmin edhe showbizin është duke e bërë median jo të qëndrueshme. Duhet të mendojmë pak se çfarë po mbjellim në masë apo në opinionin publik dhe ju t’iu përshtatemi masës. Përderisa masa na udhëheq dihet rezultati”, potencoi Pajaziti.
Ndër të tjera, në kuadër të këtij diskutimi, profesoresha Gjylije Rexha potencoi se gazetarët duhet të fokusojnë vëmendjen te ushtrimi i të drejtës së lirisë së shtypit.
“Nga një perspektivë pak më ndryshe, sot më ka tërhequr shumë një konstatim i sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, që në titullin e materialit për shënimin e kësaj dite, lirinë e të shprehurit e vlerëson si shtytës për të gjitha të drejtat e tjera. Përderisa është e lidhur me to ajo mundëson realizimin e tyre. Për askënd prej nesh nuk paraqet as lajm e as risi nëse themi se sa të fuqishme e të rëndësishme janë mediat, gazetarët dhe roli i tyre shoqëror, gjithsesi në vendet në tranzicion pa traditë të lirisë së shtypit dhe pavarësinë e shtypit edhe në datat e rëndësishme ne duhet të fokusojmë vëmendjen te ushtrimi i kësaj të drejte”, ka thënë Rexha.
Gazetari nga emisioni “Betimi në Drejtësi”, Betim Musliu përmendi disa raste nga përvoja e tij dhe sfidat me të cilat ai është përballur gjatë ushtrimit të profesionit të gazetarisë, njëherit potencoi se sfidë e gazetarisë së sotme është zhvillimi i mediave alternative.
“Sot, për fat të mirë gjendja ka ndryshuar dhe nëse e shohim aspektin ligjor, Kosova është një ndër vendet që ka një legjislacion të avancuar për sa i përket lirisë së medias dhe ushtrimit të profesionit të gazetarisë. Sfidë në gazetarinë e sotme është zhvillimi i mediave alternative”, u shpreh Musliu.
Profesori Musa Sabedini tha se koncepti për ditën e 3 majit duhet të ndryshojë në kuptimin pozitiv duke u marrë me sfidat, pakënaqësitë dhe telashet reale që ka një gazetar apo një media për të kryer me sukses misionin e saj.
“Kjo në fakt edhe është arsyeja kryesore pse data 3 maj duhet të jetë datë e sensibilizimit, datë e përpjekjeve të vazhdueshme për ta ndryshuar media në kuptimin pozitiv, për të parë gabimet dhe të metat tona dhe për të ndikuar që kjo gjendje të ndryshojë gradualisht. Media e ka të drejtën të bëjë kritika, të merret me të tjerët, të flasë e shkruaj për të gjitha temat, të jap vlerësime, opinione, komente e këndvështrime nga më të ndryshmet, por gjithashtu media, mediat dhe gazetarët duhet edhe të jenë vetëkritik për punën e tyre të përditshme”, tha Sabedini.
Në linjë me këtë, edhe profesori Safet Zejnullahu në fjalën e tij porositi studentët dhe ushtruesit e profesionit të gazetarisë së të jenë dëgjues aktiv për të qenë profesionistë të kësaj fushe.
“Një porosi të shkurtër për ata që ushtrojnë dhe do të ushtrojnë profesionin e gazetarisë është se kurrë nuk dihet te cili folës në një panel do të dalë kreu i lajmit, për këtë një gazetar profesionist duhet të jetë dëgjues aktiv. Mendoj se sot, me gjithë ndryshimet teknologjike mediat duhet të jenë të profilizuara në të gjitha fushat”, potencoi Zejnullahu.
Ish-studentja, njëherit gazetarja Albina Zeneli tregoi rreth përvojave të saj gjatë ushtrimit të profesionit të gazetarisë dhe tha së është përpjekur gjithnjë të jetë në shërbim të komunitetit.
“Jam përpjekur që gjatë kësaj kohe të jem në shërbim të komunitetit. Të raportojë dhe të bëj gazetari profesionale. I falënderoi profesorët dhe rektorin e UBT-së për mbështetjen e parezervë dhe besoj se gjeneratat e reja do të jenë të gatshëm për sfidat e fushës së gazetarisë”, tha Zeneli.